Tiranë, 29 mars, NOA - "Administrata shqiptare tregoi një përkushtim dhe përgjegjësi të paprecedent në shqyrtimin pyetje për pyetje të Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe të gjithë problematikës së gjerë të vendit që ai përfshinte".
Me një deklaratë të tillë e ka vlerësuar kryeministri Sali Berisha punën e bërë nga administrata shqiptare për plotësimin përfundimtar të këtij dokumenti, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit.
Duke e cilësuar këtë si një lloj provimi për institucionet shqiptare, ai tha se "qeveria e merr këtë si procesin më serioz dhe më kompleks, në tërë procesin e përpjekjeve tona për integrimin evropian".
Por edhe një shans të madh për të riformatuar gjithë punën e qeverisë, në funksion të përballjes me Bashkimin Evropian.
Sipas Berishës, në gjithë këtë proces, qeveria ka treguar se është e angazhuar në rrugën e reformave dhe funksionimit jo vetëm të administratës, por gjithë shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Ai bëri me dijeni gjithashtu se ky dokument do të dorëzohet në ditët e para të muajit prill, pranë Komisionit Evropian.
n.e/NOA