English

G99: Qeveria të kërkojë falje zyrtare për skandalin grek

Tiranë, 29 mars, NOA - Qeveria shqiptare duhet të kërkojë nga homologët grekë që të ndërmarrë hapa të dukshëm e të prekshëm në nivel qeveritar për t'i dhënë fund frymës së urrejtjes që ekziston në Greqi ndaj Shqipërisë, në mënyrë që shfaqje racizmi të mos të ndodhin në të ardhmen.

Kështu kanë deklaruar drejtuesit e Lëvizjes G99 lidhur me ato që i kanë cilësuar si "përballje me kërcënime skandaloze që vijnë prej fqinjit tonë jugor, përmes gojës së strukturave ushtarake të Greqisë, teksa qeveria shqiptare vazhdon të ketë raporte vasaliteti kundrejt qeverisë greke".

"Ashtu si në vitin 2007, edhe para disa ditësh mediat transmetuan marshimin e trupave ushtarake greke në mes të Athinës, teksa këndonin këngë raciste e shoviniste duke kërcënuar gjithë fqinjët e Greqisë, përfshirë edhe Shqipërinë", thuhet në një deklaratë të tyre, lëshuar mbi videon skandaloze të botuar pak ditë më parë ekskluzivisht nga agjencia e Lajmeve NOA.

Duke e parë të lidhur në kohë me miratimin e një tjetër varreze të ushtarëve grekë në territorin e Shqipërisë, e gjashtë muaj pas ratifikimit nga mazhoranca e djathtë të marrëveshjes për faljen e ujërave territoriale të Shqipërisë, G99 deklaron se "si partnerë me të drejta të barabarta me Greqinë në NATO, ne nuk mund të lejojmë që të tilla ngjarje të përsëriten".

n.e/NOA

KOMENTE