English

Kroacia: T'i heqim vizat me shqiptarët

Zagreb, 29 mars, NOA - Pala kroate do të angazhohet seriozisht për të gjetur një zgjidhje për të hequr regjimin e vizave me shqiptarët, duke konsideruar si shumë pozitiv progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Një fakt të tillë, ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ia komunikoi homologu i tij kroat, Gordan Jandrokoviç, gjatë një vizite të tij në Kroaci.

Sipas të dhënave, mes dy palëve u diskutua fakti që "ekzistenca e regjimit të vizave për shqiptarët që kërkojnë të shkojnë në Kroaci dhe mungesa e fluturimeve direkt mes Tiranës dhe Zagrebit krijojnë vështirësi për nxitjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomiko-tregtare dhe për afrimin mes popujve tanë".

Prandaj, u tha se paraqitet e nevojshme heqja e vizave mes dy vendeve tona.

Nga ana tjetër, në lidhje me bashkëpunimin dypalësh u nënvizua nevoja e rritjes së shkëmbimeve ekonomiko-tregtare si dhe u ra dakord që së afërmi të mblidhet Sesioni i Tretë i Komisionit të Përbashkët, ku të dy palët do identifikojnë dhe eksplorojnë hapësira të reja bashkëpunimi, si dhe do të mbështesin e nxisin lidhjet mes komuniteteve të biznesit.

Ndërsa u vlerësua si shumë i frytshëm bashkëpunimi i deritanishëm në kuadër të proceseve euroatlantike, nismave rajonale dhe organizatave ndërkombëtare, ku u sigurua për mbështetjen reciproke të kandidaturave.

Në fund të bisedimeve, u nënshkrua edhe Protokolli i Bashkëpunimit midis Akademive Diplomatike.

Ndërsa në takimin me presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviç, Meta i shprehu bindjen se marrëdhëniet mes të vendeve do të vazhdojnë të thellohen në fusha me interes të ndërsjellë, si, ekonomi, energji, infrastrukturë, arsim, kulturë etj.

n.e/NOA

KOMENTE