Milano, 29 Mars NOA - Pas barazimit me Napolin dhe humbjes me Parmën, tashmë një tjetër ndalesë ka ardhur për ekipin e Milanit, ku në ndeshjen e djeshme me Lazion ata nuk shkuan më shumë se një barazim një me një.
Milani duhet thënë se nisi mjaft mirë ndeshjen ku në 15 minutat e para ata krijuan një lojë mjaft të mirë ku shënuan dhe një gol me anë të Borrielos, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Më pas duhet thënë se ai vrull i Milanit u shua dhe Lazio përfitoi nga kjo gjë duke shënuar me anë të Lichtsteiner në minutën e 32 të pjesës së parë.
Ky ishte dhe rezultati përfundimtar i kësaj gare nga e cila Milani humbi mundësinë e saj për tu afruar akoma më shumë me ekipet kryesuese pasi, tashmë ajo pozicionohet në vendin e tretë, me 3 pikë larg Interit dhe 2 ndaj Romës.
Në krahun tjetër për Lazion, ky rezultat ishte mjaft pozitiv pasi ata arritën të merrnin një pikë mjaft të rëndësishme për objektivin e tyre i cili është shpëtimi nga rënia e kategorisë së parë.
r.b/NOA