English

Presidenti grek flet për skandalin me parullat antishqiptare të ushtarëve

Mesologji, 29 Mars NOA - Presidenti i Greqisë Karolos Papulias është shprehur për herë të parë për ngjarjen e 25 marsit në Athinë, duke mbajtur qëndrim të prerë kritik ndaj forcave ushtarake që lëshuan thirrjet fyese ndaj shqiptarëve, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Duke folur dje pasdite nga Mesologji, në fjalimin e tij në nderim të Ditës së Eksodit, Papulias u ndal te parullat antishqiptare të Forcave Speciale të Njësisë së Zhytjes të Rojës Bregdetare greke.

Patriotizmi i vërtetë nuk është tek ato parulla, - tha z.Papulias duke iu referuar fjalëve: "Grek je, grek nuk bëhesh, gjakun tënd do derdhim, derr shqiptar" si dhe thirrjes tjetër skandaloze: "Ata janë shkupjanë, ata janë shqiptarë, rrobat e mia do qep, me lëkurën e tyre".

Presidenti tha se patriotizmi i vërtetë nuk shprehet me parulla apo këngë gjoja patriotike dhe duke iu referuar Ditës së Eksodit grek, tha: "Ditët si kjo janë ofruar për një reflektim kolektiv mbi esencën e patriotizmit të vërtetë".

Në këtë kuadër, z.Papulias vazhdoi: "Patriotizmi nuk është retorikë apo parulla. Nuk është një produkt komunikimi dhe as fishekzjarr politik. Patriotizmi është vetëmohim për atdheun, pa marrë parasysh dhe pa pretendimin e pritjes së shpërblimit personal, kjo është dashuria për atdheun", - ka përfunduar z.Papulias.

n.s/e.r/NOA

Lexoni si NOA raportoi me detaje skandalin grek

KOMENTE