English

Produktet vendase, konsumatori i pasigurt për standardet

Tiranë, 29 mars, NOA/ Blerina Ahmetaj - Konsumatori shqiptar ndihet i frikësuar për produktet vendase të cilat nuk kanë në shumicën e rasteve datë skadence.

Pas alarmit që kanë dhënë specialistët e drejtorisë së Shëndetit Publik, vetë qytetarët kanë pohuar se ka pasur raste që kanë blerë produkte bulmeti të cilat më pas kanë rezultuar të pakonsumueshme.

Nga një vëzhgim yni në tregun e madh të kryeqytetit, shumë produkte me bazë shtazore si qumështi, djathi apo kosi nuk kanë datën e skadencës.

Por ka dhe produkte të këtij lloji që edhe pse e kanë një datë skadence nuk të sigurojnë cilësinë e mallit.

Një qytetare thotë se shpesh ka blerë produkte që edhe pse kanë pasur një vulë të firmës prodhuese sërish janë detyruar ta flakin pasi ka qenë e papërdorshme.

Por ka dhe nga ata konsumatorë që janë indiferent ndaj cilësisë së produkteve që blejnë pasi besojnë verbërisht duke u kthyer në klientelë të rregullt të një tregtari.

Pyetjes sonë se nëse sot e ka parë datën e skadencës së kosit që ka blerë, një qytetare i përgjigjet jo, pasi njeh shitësen dhe ka besim tek ajo.

"Në fakt më ka qëlluar të blej kos, i cili më pas më ka rezultuar i prishur. Ia kam kthyer mbrapsht shitëses e cila është habitur pasi dhe ajo s'e ka kontrolluar produktin para meje, ç'të bëjmë, herë jemi të kujdesshëm dhe herë jo", thotë një konsumatore e rregullt e tregut tek Pazari i Ri.

Por ndryshe të thonë tregtarët e bulmetit.

Për ta, mjafton që produkti të ketë datë skadence edhe pse pak dyshuese mënyra e vendosjes së tyre nga firmat prodhuese, ose të shoqërohet me një fletë sanitare të inspektorit veterinar. Të tjerat sipas tyre duhet t'i kontrollojë shteti.

Sipas drejtuesve të higjienës, nëse konstatohen raste të produkteve pa datë skadence, masa e vetme që merret është asgjësimi i tyre, por kjo nuk të jep sigurinë se në treg s'ka produkte të tilla.

I vetmi që rrezikohet në këtë histori është konsumatori, i cili për hir të sigurisë së shëndetit të tij duhet të bëjë dhe rolin e shtetit, të kontrollojë në çdo moment produktin që zgjedh të blejë, kjo pasi shteti mesa duket ndjehet i pafuqishëm.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE