Tiranë, 29 mars, NOA - Projekti për ndërtimin e një centrali bërthamor në territorin shqiptar, po shoqërohet me një mungesë transparence nga qeveria.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, sipas të cilit kjo forcë politike "mbështet çdo iniciativë që çon në zhvillimin ekonomik e teknologjik të vendit, por në lidhje me centralin bërthamor shprehemi kundër tij".
Dhe kjo për disa arsye, ku të parën Baraj renditi mungesën e mbajtjes së një procesi referendumi kombëtar për marrjen kështu në konsideratë të mendimit të popullit mbi projektin në fjalë.
"Por ka shumë të ngjarë që ky reaktor të bëhet edhe në zonën bregdetare. Kjo do të thotë që vija jonë bregdetare të përmbajë industritë më ndotëse dhe me një rrezik më të madh përsa i përket impaktit në mjedis sikurse janë fabrikë çimentoje në Lezhë, TEC me qymyr në Durrës, park industrial pas prerjes së pyllit të sodës në Vlorë dhe diku reaktori bërthamor", tha ndër të tjera ai.
Në fund, deputeti socialist tha se "Shqipëria nuk është një vend favorit për një ndërtim të tillë, pasi nuk disponon as kapitalet e nevojshme financiare dhe as ato profesionale shkencore apo kuadrin e nevojshëm ligjor", për ndërtimin e një projekti të tillë.
n.e/NOA