Prishtinë, 29 mars, NOA - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar sot publikisht ndryshime në kabinetin e tij qeverisës.
Gjatë një konference që ka mbajtur për mediat, ai ka konfirmuar faktin se "afirmimi i qeverisjes së mirë në Kosovë do të vazhdojë me personalitete të besueshme dhe me energji të reja".
Ndonëse nuk i konfirmoi përfundimisht ndryshimet në qeverinë e tij, Thaçi tha se nevojat e qytetarëve po rriten dhe ato kërkojnë një trajtim edhe më afirmativ.
"Afirmimi i qeverisjes së mirë do të vazhdojë me personalitete të besueshme dhe energjitë e reja, duke vlerësuar lart punën e secilit ministër në angazhimet që kanë pasur në suksesin historik, që kemi arritur si Republikë e Kosovës", tha ai.
Sipas kryeministrit kosovar, këta dy vjet e gjysmë kanë qenë vite të suksesit dhe ky kabinet qeveritar është kabineti i suksesit.
"Por, gjithmonë kërkohet të bëhet edhe më tepër, pasi që nevojat e qytetarëve rriten dhe ne do të jemi në krye të përgjegjësive që kemi", tha Thaçi. Ndërkaq, në qarqet politike të Kosovës flitet se ministrat në largim janë Fehmi Mujota, Zenun Pajaziti dhe Idriz Vehapi nga PDK-ja, si dhe Alush Gashi, Nekibe Kelmendi dhe Valton Beqiri nga LDK-ja.
Kurse ministrat e rinj të mundshëm pritet që të jenë Edita Tahiri, Bujar Bukoshi e Lutfi Haziri.
n.e/NOA