Ljubjana, 29 mars, NOA - Sllovenia e ka pranuar Kosovën dhe ka marrëdhënie diplomatike, prandaj sillet ndaj Kosovës si shtet sovran, në fakt siç po bëjnë edhe të gjitha shtetet e tjera në këtë rajon.
Një fakt të tillë e ka deklaruar presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, i cili ka deklaruar se beson që në të ardhmen të gjinden formula, të cilat do të mundësojnë bashkëpunimin e të gjithë liderëve të shteteve të dala nga Jugosllavia e dikurshme.
Duke komentuar gjatë një interviste mospjesëmarrjen e Serbisë në konferencat ndërkombëtare në të cilat marrin pjesë përfaqësuesit e Kosovës, ai tha se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara po citohet në mënyrë shumë gjithëpërfshirëse.
"Në atë rezolutë nuk flitet për Serbinë si Serbi, dhe do të ishte mirë po të mendohej për interpretimin e asaj rezolute, për të cilën besoj se nuk duhet t'i shtohen elemente të cilat nuk janë në rezolutë", ka thënë Turk.
n.e/NOA