English

Berisha-Chountis: Shqipëria në BE, stabilitet për rajonin

Tiranë, 30 mars, NOA - Raporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Nikolaos Chountis ka garantuar kryeministrin, Sali Berisha se PE-ja, do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm qeverinë për realizimin sa më parë të projektit për liberalizimin e vizave. Deklarata e eurodeputetit grek është bërë sot gjatë takimit që ka zhvilluar me kryeministrin, Sali Berisha.

"Ne dëshirojmë dhe besojmë fuqishëm që qytetarët shqiptarë të gëzojnë sa më parë të drejtën e qarkullimit pa viza në zonën Shengen, si çdo qytetar tjetër evropian", ka deklaruar Chountis.

Eurodeputeti ka vlerësuar punën e qeverisë për plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si edhe hartimin dhe miratimin e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Evropian.

Chountis është shprehur se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të përbëjë një hap të ri në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit, jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por edhe në mbarë rajonin.

Ndërsa kryeministri Berisha, në fjalën e tij, është ndalur në ecurinë e reformave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, duke veçuar projektet për anëtarësimin në BE dhe liberalizimin e vizave.

m.xh/NOA

KOMENTE