English

Ligji "Anti-Mafia", kërkohen të dhënat e shqiptarëve në Gjermani

Tiranë, 30 mars, NOA - Policitë e Shqipërisë dhe Gjermanisë do të rrisin bashkëpunimin në shkëmbimin e informacioneve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe trafiqet. Një gjë e tillë është konfirmuar dje gjatë takimit të Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj me Presidentin e Policisë Federale Kriminale Gjermane, Jorg Ziercke.

Biseda e dy drejtuesve të policisë është fokusuar në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kuliçaj ka shprehur interes për vazhdimin e mëtejshëm të shkëmbimit të informacionit mes Policisë shqiptare dhe asaj gjermane në fushën e hetimit të krimit financiar, krimit kompjuterik, dhe trafiqeve të paligjshme.

Duke u ndalur në miratimin e ligjit, "Anti-Mafie", përfaqësuesi i policisë shqiptare, Kuliçaj, ka theksuar domosdoshmërinë e shkëmbimit të të dhënave kriminale për të gjithë shtetasit shqiptar që janë dënuar në Gjermani për veprat e krimit të organizuar, për të cilët pas marrjes së dënimit, ligji lejon që të hetohen pronat dhe pasuritë e tyre që i kanë krijuar në rrugë të paligjshme në Shqipëri.

Presidenti i Policisë Federale Kriminale Gjermane, Jorg Ziercke, ka garantuar rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbim më të madh te informacionit në lidhje me veprimtaritë kriminale.

"Kam mbetur shumë i impresionuar dhe me përshtypje shumë pozitive nga kjo vizitë, qoftë për teknikat që ju përdorni, ashtu edhe për standardet e larta që keni arritur. Ju u shprehët se baza për bashkëpunimin policor është besimi dhe dua ta mbështes plotësisht këtë mendim tuajin", ka deklaruar Ziercke.

m.xh/NOA

KOMENTE