English

Mbrëmje në TOB, në nderim të Milto Vakos

Tiranë, 30 mars, NOA /Milena Selimi - Kolegët, bashkëpunëtorët, studentët dhe admiruesit e dirigjentit Milto Vako do të zhvillojnë sot në orën 19.00 një mbrëmje muzikore në Teatrin e Operës në nderim të tij. Kjo datë përkon me 80-vjetorin e lindjes së tij dhe ndaj është zgjedhur për të nderuar muzikantin e njohur dhe pedagogun e përkushtuar.

I lindur më Pogradec më 30 mars të vitit 1930, ai mbaroi shkollën e mesme artistike "Jordan Misja" në vitin 1952. Në vitet 1953-1959 vijoi studimet e larta në Konservatorin "Çajkovski" në Moskë, ku diplomohet si dirigjent kori, me profesorin e famshëm të asaj kohe Sokolov.

Pas studimeve u emërua dirigjent në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, njëkohësisht pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Liceun Artistik. Në 1964-1968 punoi si dirigjent në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Në 1968-1973 është udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në 1973 dënohet, largohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe internohet në Tepelenë, ku punoi për dy vjet rresht në kushte të vështira. Në 1975 arrestohet nga regjimi komunist dhe dënohet për agjitacion e propagandë. Vuan dënimin në burgun e Tepelenës e në Ballsh deri në vitin 1982. Pas burgut, deri në vitin 1991 punon si punëtor në ndërmarrjen e Mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës. Në vitet 1991-1993 kthehet pedagog në Akademinë e Arteve. Ndërsa në vitet 1993-2001 ishte shef i katedrës së kantos e dirigjimit.

Nga 2001 e deri më sot është pedagog i katedrës së kantos dhe dirigjimit. Ka themeluar dhe drejtuar koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ka dhënë me dhjetëra koncerte si brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Është autor i shumë teksteve dhe mban titullin profesor, si dhe "Artist i merituar".

m.s/NOA

KOMENTE