Strasburg, 30 mars, NOA /Milena Selimi - Arben Theodhosi, piktori i njohur dhe fitues i njërit prej edicioneve të Onufrit, do të jetë këtë muaj me një ekspozitë personale në Strasburg dhe përveç kësaj dhe me një botim të ri, që e ka titulluar "Në stacionin e shtatë".
Ekspozita do të jetë më 26 prill dhe do të tregojë ecurinë e autorit në kohët e fundit, ndërsa punimet e saj janë aprovuar 100% nga një komision i art-klubit të Këshillit të Evropës. Njësoj si ai, janë dhe dy piktorë të tjerë nga vende të ndryshme...
Arben Theodhosi njihet për pikturën e tij të veçantë dhe eksplorimin e thellë në shpirtin njerëzor. Duke iu referuar fjalëve të tij bazohet në tre ngjyra bazë dhe pastaj i nënshtrohet thjesht kombinimeve të ndërgjegjes së tij.
Atelieja e tij aktuale, e shtata që ka ndërruar gjatë periudhës 1990-2010, ndodhet pranë kafene "Neu Berlin".
Arben Theodhosi u lind në Tiranë më 1953-in, si i biri i Koço Theodhosit, anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Industrisë, i dënuar me vdekje më 1977-ën nga regjimi diktatorial, ndaj atij iu imponua që vitet e rinisë së tij t'i kalonte në internim.
Plot 15 vite punë e detyruar në minierë, në Kurbnesh, që ndikuan shumë në jetën e tij.
Në vitin 1991 merr pjesë në ekspozitën "Forbidden Art" në Vjenë, ndërsa një vit më vonë hap një ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve me 40 punime në vaj, të realizuara kryesisht gjatë viteve të internimit.
Në vitin '93 përfundon në Akademinë e Arteve studimet e ndërprera, kur ai ishte në vitin e tretë. Prej asaj kohe ka hapur ekspozita vetjake e në grup, në Shqipëri dhe vende të tjera, si në Greqi, ku jetoi dy vjet si emigrant, Itali, Holandë, etj. Ka fituar edhe çmime kombëtare si "Onufri ‘95".
Shumë piktura të tij gjenden në koleksione private në shumë vende të Evropës dhe në SHBA. Një ndër veprat më të vlerësuara është piktura në vaj, "Purple Crucifix", e cila bën pjesë në koleksionin e artit modern të Muzeut dioqezan "Albino Luciani" në Vitorio Veneto (Itali).
m.s/n.e/NOA