Tiranë, 30 mars, NOA - Debati i fundit në vend për diskriminimin e homoseksualëve ka bërë që të krijohet dhe një tjetër organizatë në mbrojtje të minoriteteve seksuale. Bëhet fjalë për organizatën "LGBT PRO Shqipëri", e cila synon të mbulojë me asistencë ligjore mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve, lezbikeve, biseksualëve dhe transeksualëve.
Në një njoftim për mediat, organizata e re jep dhe detaje mbi funksionin dhe qëllimin e punës së saj. Kështu, baza kryesore e punës së saj do të jetë përballja në rrugë ligjore "me institucionet shtetërore dhe ato private për të adresuar sa më mirë zgjidhjen e problemeve të komunitetit".
Sipas njoftimit për mediat, nismëtar të këtij projekti janë një grup të rinjsh e të rejash nga e gjithë vendi.
"Shqipëria nuk mund të konsiderohet një vend demokratik që respekton të drejtat e njeriut pa respektuar dhe garantuar edhe të drejtat e komunitetit LGBT në vend, kanë vendosur që të formalizojnë atë që sot e tutje do të quhet LGBT PRO Shqipëri", thuhet në njoftimi e shpërndarë nga organizata për mediat.
Pjesë e punës së kësaj organizate do të jetë mbrojtja nga dhuna dhe diskriminimi të komunitetit, ndërgjegjësimin publik në nivel kombëtar dhe lokal për të drejtat e LGBT-ve nëpërmjet lobimit dhe avokatisë.
Organizata ka si qëllim dhe kthimin në një lëvizje të gjerë të mobilizimit social kombëtar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të minoriteteve seksuale në vend.
m.xh/NOA