English

PDU: Çështja çame, partitë të mos heshtin

Tiranë, 30 mars, NOA - Partia Drejtësi dhe Unitet kërkon nga të gjitha forcat politike që të mos heshtin më për çështjen çame. Në një njoftim për mediat, PDU-ja ka përshëndetur deklaratën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në një intervistë televizive, për çështjen çame. Nisur nga kjo, PDU-ja thekson se çështja çame duhet të rikthehet në diplomacinë shqiptare dhe në qëndrimet e saj publike.

"Deklarata e djeshme e presidentit Topi përbën një hap të rëndësishëm përpara për zgjidhjen e këtij problemi, i parë si problem i të drejtave të njeriut të një pjese të popullsisë shqiptare. Me këtë rast, Partia Drejtësi dhe Unitet u bën një thirrje të fortë të gjitha partive që të ndalin apatinë që i ka shoqëruar për çështjen çame e të mos heshtin më", thuhet në qëndrimin zyrtar të PDU-së.

Sipas saj aktorët politikë shqiptarë duhet të lejojnë diplomacinë shqiptare të veprojë mbi bazat e reciprocitetit me të gjitha vendet, e të mos pranojnë më marrëveshje që janë në interes vetëm të palës tjetër.

"Deklarata e djeshme e presidentit Topi duhet të shërbejë si një lajtmotiv në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë", thuhet në deklaratën e PDU-së.

Në deklaratë theksohet se çështja çame nuk është një çështje e një komuniteti, por e të gjithë shqiptarëve.

"Kjo padrejtësi e bërë shumë kohë më parë nga një forcë nacionaliste shoviniste që mori në duar Çamërinë, nuk duhet të jetë më vetëm disa rreshta në një faqe të vetme të librave shkollorë, por duhet të kthehet medoemos në një strategji të hapur transparente e kombëtare e politikës sonë të jashtme, e bazuar tërësisht në normat ndërkombëtarë", theksohet në qëndrimin e PDU-së.

Partia Drejtësi dhe Unitet u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që reagimi për këtë çështje të jetë larg nacionalizmave, larg urrejtjes, "por duke folur vazhdimisht për një të drejtë që na takon".

m.xh/NOA

KOMENTE