Tiranë, 30 mars, NOA - Partia për Demokraci dhe Unitet, ka hedhur poshtë me anë të një deklarate akuzat e ngritura nga shoqata "Omonia", sikur gjatë protestës së zhvilluar prej saj para ambasadës greke lidhur me reagimin ndaj videos antishqiptare të ushtarëve grekë, paska djegur flamurin grek.
"Sipas këtij reagimi, gjatë manifestimit tonë qenkëshin djegur flamuj grekë, madje në prani të bijve tanë deputetë të PDU, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Por duam ta hedhim poshtë me indinjatë dhe përbuzje këtë shpifje dhe disinformim të krijuar me art, me qëllim që të barazohen dy ngjarje të pakrahasueshme", thuhet në këtë qëndrim zyrtar të PDU-së.
Ndër të tjera, shtohet se "shpifja e orkestruar synon të barazojë marshin çnjerëzor të marinarëve grekë me të ashtuquajturin incident me flamurin grek, që sipas OMONIA-s e paska djegur PDU".
"Shoqata jonë mohon kategorikisht që në manifestimin tonë të jenë djegur flamuj grekë. Ne thjesht kemi protestuar dhe kemi kërkuar reagimin e autoriteteve tona dhe autoriteteve greke ndaj këngës me të cilin stërviten prej shumë kohësh ushtarët grekë", shton më tej deklarata në fjalë.
Duke pohuar në të njëjtën kohë se i vlerëson "reagimet e autoriteteve, qofshin këto edhe reagimet e ministrit grek të mbrojtjes apo faljen e kërkuar prej ambasadorit grek".
n.e/NOA