English

Prifti: Shqipëria, vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë

Stamboll, 30 mars, NOA -Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në konferencën e ministrave të Tregtisë dhe Ekonomisë së Europës Juglindore, në Turqi, ka theksuar se Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe ekonomike në Europë.

Në fjalën e mbajtur në takim, Prifti vlerësoi rritjen ekonomike të vazhdueshme dhe deklaroi se, Shqipëria ka një rritje të pritshme ekonomike 5 për qind për vitin 2010. Ndërkohë, duke iu drejtuar Ministrave të Tregtisë dhe grupeve të mëdha të biznesit të pranishëm në takim, Prifti u shpreh se, "Shqipëria është një vend i shkëlqyer për investime dhe fitime dhe në këtë drejtim është vendi më miqësor për investimet e huaja".

Ministri i Ekonomisë zhvilloi dhe takime me investitorët turk, gjatë të cilave ai vlerësoi se investimet turke në Shqipëri janë shumëfishuar për një kohë të shkurtër, ndërsa bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik ka njohur rritje të ndjeshme.

"Nëse pesë vjet më parë investimet turke ishin rreth 45 milion dollarë, sot ato llogariten në rreth 1 miliardë dollarë, ndërsa vëllimi tregtar Shqipëri-Turqi kap shifrën e 350 milionë dollarëve", theksoi Prifti.

Në këtë takim, i cili u mbajt në Stamboll të Turqisë, ministri Dritan Prifti shoqërohej nga nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço.

m.xh/NOA

KOMENTE