Berlin, 30 mars, NOA - Eksperti i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme, Aleksandër Rahr thotë se Kaukazi Verior është kthyer në terren pjellor për terroristët dhe se puna e organeve të sigurisë në Rusi është e dobët.
"Organet e sigurisë janë në gjendje të dobët në Rusi. Presidenti Medvedev ka urdhëruar tani një spastrim të madh në aparatin policor. Problemi atje është korrupsioni i pakufishëm, si edhe rrogat e ulëta të nëpunësve".
Z. Rahr, në shpërthimin në metronë e Moskës u vranë dje në mëngjes të paktën 35 vetë. Nuk ka asnjë dyshim që kemi të bëjmë me një akt terrorist. Një atentat në qendër të Moskës. A mund të na e përshkruani qarkun e dorasve të mundshëm?
Po, sigurisht! Unë besoj se ky atentat terrorist ka një sfond çeçenas ose kaukazo-verior, megjithëse nuk mund ta përjashtosh krejtësisht që atentati terrorist erdhi nga skena e djathtë, sepse në Rusi ekziston ndërkohë edhe një skenë ekstremiste e djathtë. Unë tërheq vëmendjen në faktin që edhe dy muaj më parë pati dy atentate në trenin ekspres Sant-Petërburg-Moskë, gjithashtu me disa të vrarë dhe nxitësi i tyre ishte një ekstremist i skenës së djathtë. Më pas atë e kapën.
Për një sfond islamik, me një fjalë çeçen nuk ka ende të dhëna konkrete. A paraqet kjo anë një rrezik real?
Unë mendoj se ky atentat spektakolar, siç e pamë, ka natyrisht firmën e ekstremistëve islamikë. Në Kaukazin Verior ata vazhdojnë të jenë shumë aktivë. Vërtet që Rusia si republikë ndodhet sot nën kontrollin e klanit të Kadirovit dhe prej atje, Rusinë nuk e kërcënon ndonjë rrezik. Separatistët atje janë blerë të gjithë nga Kadirovi dhe janë integruar në strukturën e klanit të tij. Por në republikat fqinje, në Dagistan dhe në Ingusheti situata është e paqëndrueshme. Atje ka javë, nëse jo muaj që ka atentate ndaj autoriteteve shtetërore. Edhe guvernatori i Ingushetisë ra viktimë e një atentati.
Janë këto atentate islamikësh?
Janë të njëjtat atentate, siç i kemi përjetuar në fund të viteve '90, në fillim të shekullit në Rusi, me acarim deri në Beslan në Kaukazin Verior, kur ndodhën pengmarrjet e tmerrshme. Unë besoj se terrorizmi islamik, i mbështetur ndoshta edhe nga strukturat e Al Kaidës, sepse dikush i furnizon me armë dhe logjistikë terroristët, ndodhet në avancim në këto rajone. Pushteti shtetëror është i pafuqishëm në këtë rajon. Para së gjithash, kriza financiare ka krijuar në këtë rajon terren të volitshëm për terrorizmin, sepse nga ana ekonomike ky rajon ndodhet në tatëpjetë.
Një indikacion është ndoshta vendi i atentatit të parë, stacioni i metrosë Lubjanka, nën rezidencën e shërbimit të fshehtë rus. A ndodhet shërbimi i fshehtë në shënjestër të luftës terroriste? Shërbimi i fshehtë ndodhet me të vërtetë në shënjestër të terrorizmit. Edhe në Ingusheti dhe në Dagistan sulmohen para së gjithash stacione të shërbimit të fshehtë FSB ose stacione të policisë.
Atentatet erdhën krejt papritur. Rusia konsiderohej relativisht e sigurt. Ky me sa duket ishte përfundim i gabuar. A janë organet e sigurisë më të dobëta se emri që kanë?
Organet e sigurisë janë në gjendje të dobët në Rusi. Presidenti Medvedev ka urdhëruar tani një spastrim të madh në aparatin policor. Problemi atje është korrupsioni i pakufishëm, si edhe rrogat e ulëta të nëpunësve. Unë nuk e di si është gjendja në vetë shërbimin e fshehtë FSB, por ne ka kohë që nuk kemi dëgjuar për suksese të mëdha në luftë kundër terrorizmit në Kaukazin Verior. Problemi mbetet i pandryshuar dhe kriza financiare, gjendja në Rusi, jep kontributin e vet për ta keqësuar situatën.
DVelle