Tiranë, 30 mars, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste i kërkon komisionerit për Zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fule që çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri ta adresoj në të gjitha instancat e BE-së.
Në një letër që kreu i Partisë Socialiste, Rama, i ka dërguar komisionerit Fule, thekson se pas largimit të tij nga Tirana, situata politike në vend është rënduar edhe më tepër.
"Dëshiroj vetëm të ngre shqetësimin për rëndimin e mëtejshëm të gjendjes në Shqipëri, si pasojë e anashkalimit brutal të atyre dy elementëve të patjetërsueshme që Ju i vendosët në mesazhin e vizitës suaj si piketat bazë të dialogut të domosdoshëm mes forcave politike për zgjidhjen e krizës së sotme politike në vend: Kushtetuta dhe transparenca", shprehet Rama në letrën e tij drejtuar komisonerit Stefan Fule.
Nga ana tjetër kreu i PS-së, thekson se opozita ka hyrë në Kuvend për të bërë transparencë, por mazhoranca ka marrë vendime të njëanshme, që nuk garantojnë zgjidhje të lira dhe të ndershme.
"Në këtë parlament, ku hymë e do qëndrojmë me vullnetin për ta bërë realitet transparencën, kutitë zgjedhore mbahen peng nga shumica jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e ligjin që i'a heq shumicës të drejtën të kufizojë objektin e hetimit të kërkuar nga pakica, por edhe në kundërshtim me precedentin e legjislaturës së shkuar kur kutitë përkatëse u vunë pa asnjë problem në dispozicion të një komisioni hetimor", shprehet Rama në letrën e tij.
Kreu i PS-së vijon me argumentin se transparenca e zgjedhjeve është jetike për Shqipërinë, "dhe, pse jo, edhe me interesin e Europës si familje popujsh".
m.xh/NOA