English

Reportazh/ Greqi, familja shqiptare që po vuan refuzimin e pronarit të pashpirt

Më shumë foto, te Galeria

Rodos, 30 Mars Ekskluzive NOA -Një emigrant shqiptar në Greqi, i pasiguruar, po lufton me vdekjen pasi ka rënë në koma për shkak të një aksidenti në punë, kurse punëdhënësi i tij ka refuzuar të paguajë shpenzimet e ndërhyrjes kirurgjikale, raporton korrespondenti i i agjencisë NOA, i cili citon burime familjare dhe ato zyrtare nga Sindikata e Punëtorëve të Rodosit dhe spitali shtetëror ku gjendet i dëmtuari.

Spartak Hyka, është emigranti 38-vjeçar nga Shqipëria i cili prej 17 vitesh jeton me gruan e tij 37-vjeçare Teuta dhe dy fëmijët e tyre, në Kos, ishull pranë Rodosit.

Spartak Hyka erdhi në Greqi në vitin 1993 dhe nisi jetën e refugjatit për t'u integruar ngadalë dhe me shumë vështirësi në jetën greke. Ai krijoi një familje dhe prej 12 vitesh jeton në Ko të ishullit Rodos.

Prej dhjetë vitesh, Spartaku ishte punëtor riparimesh në një hotel në Mastihari. Pak javë më parë, më 20 mars, në punë e sipër ka rënë nga një çati që po riparonte në kompleksin hotelier ku punonte në të zezë, i pasiguruar.

Për pasojë është aksidentuar rëndë. Plagët ishin të rënda aq sa 38-vjeçari përfundoi në spitalin shtetëror të Rodosit në gjendje koma.

***

Familja Hyka jetonte prej afro 12 vjetësh në qetësi dhe ato pak para që fitonin, arrinin të mbijetonin por kjo qetësi është prishur dhe stërmundimet nuk po i ndahen që kur kryefamiljari ra në koma pas një aksidenti të dhimbshëm në punë.

Spartak Hyka është 38 vjeç, por që prej datës 10 mars të këtij viti, nuk dihet se në cilën botë është. Ai ka rënë në koma, pasi duke u përpjekur të riparojë çatinë e hotelit ku punonte prej dhjetë vjetësh, humbi ekuilibrin dhe ra në tokë duke përplasur kokën në pllakat e gurta.

Goditja ishte kaq e fortë sa sikundër i thanë mjekët gruas së tij Teutës, kishte pësuar hemorragji dhe gjaku i kishte vërshuar nga njëri vesh duke i shkaktuar humbje të menjëhershme ndjenjash e cila prej tre javësh ka kaluar në mospërmendje për shkak të zhytjes në koma.

Teuta Hyka bisedoi me korrespondentin e agjencisë NOA dhe ndalet gjatë në gjendjen që e ka kapluar. Rrëfen për jetën që u ka ndryshuar duke i sjellë vështirësi në kushtet e mungesës së përkrahjes.

Teuta është një vit më e vogël se Taku siç e thërret ajo të shoqin dhe jeton në ishullin Kos i cili gjendet në një nga 12 ishuj të Rodosit, i famshëm për turizmin veçanërisht nga të huajt.

Punëtore në hotele turistike vetëm gjatë sezoneve verore, Teuta gjatë tetë muajve të tjerë të vitit, nuk mund të bëjë punë tjetër ndaj qëndron me fëmijët dhe bën amvisën.

"Në këto kushte, ai që na mbante deri sot ishte Taku dhe tani ne jemi të dërrmuar nga kjo gjendje", pohon për agjencinë NOA, Teuta Hyka, 37-vjeçarja që ka krijuar familje me Spartak Hykën, 12 vjet më parë.

Teuta tregon se që prej 10 marsit, jeta e saj ka ndryshuar, por jo për mirë. "Që nga ajo ditë që im shoq u aksidentua, çdo gjë ka vajtur keq. Unë detyrohem çdo ditë të marr rrugët nga këtu ku kemi shtëpinë dhe deri në Rodos, për të parë tim shoq".

Gruaja e lodhur nga rraskapitja e përditshme, thotë se nuk mund të kujdeset shumë për të shoqin. Rregullat në spital janë shumë të forta. Në Reanimacion nuk mund të qëndrosh veçse për pak orë dhe në këto kushte ajo udhëton çdo ditë, duke mbajtur gjithmonë në krah, djalin e tyre vetëm 20 muajsh, Sarjonin.

Më tej, duke mos mbajtur dot lotët, Teuta tregon se i shoqi nuk po del nga koma dhe thotë se është shumë e trembur.

Sakaq, mjekët në spitalin e Rodosit të pyetur mbi gjendjen e 38-vjeçarit, thonë se pacienti nuk po mundet ende të dalë nga koma. Ai ka temperaturë shumë të lartë dhe mund të shuhet nëse disa ilaçe që i jepen dhe që pengojnë daljen nga koma, mund t'i ndërpriten.

Teuta tregon se në Greqi është pa njerëz të tjerë dhe ndihma i ka munguar, sidomos nga punëdhënësi i të shoqit.

Për vetë situatën e vështirë, ka kërkuar ndihmë nga pronari i të shoqit për vetë faktin se aksidenti ndodhi në hotelin ku Spartaku ishte i punësuar prej një dekade. Por ka marrë përgjigje negative.

"Kur ndodhi aksidenti, nuk dija ç'të bëja, ndjehesha krejt e vetme dhe kërkova ndihmë. Shkova tek Takis, pronari i hotelit Gaia në Mastihari ku im shoq punonte prej dhjetë vjetësh dhe kërkova ndihmë. U trondita kur më priti aq keq e duke më përplasur në fytyrë përgjigjen refuzuese. Nuk më dha asgjë dhe unë e vetmja gjë që kërkova më pas ishte paga për ditët që kishte punuar dhe nuk ishte paguar ende, një mijë e ca euro. Por edhe ato, nuk m'i dhanë".

Në këto kushte, gruaja e pikëlluar pohon se ka kërkuar ndihmën e shqiptarëve të tjerë, disa prej të cilëve punojnë në të njëjtin hotel ku gjendej Spartaku.

Por kolegët e tij kanë frikë të flasin pasi dhe ata janë të pasiguruar, frikë nga policia kanë se mos i riatdhesojnë dhe po ashtu i frikësohen heqjes nga puna.

Në të tilla rrethana, Teuta ka kërkuar ndihmë në bashki. "Nuk kisha ku të lija vajzën. Të shkosh çdo ditë në spitalin e Rodosit është e lodhshme por të kesh dhe dy fëmijët me vete, është e pamundur", pohon Teuta.

"Iu kërkova ndihmë atyre në bashki dhe ata më çuan vajzën, Jesuidën që e kemi 11 vjeçe, në një kopshti ditor për fëmijë, falas. Kështu unë çdo ditë marr Sarjonin në krahë dhe shkoj tek im shoq, e qetë se vajzën nuk e kam vetëm në shtëpi", - shpreh një dritë gëzimi Teuta e dërrmuar nga të këqijat që i kanë rënë.

Ndërsa kur i është drejtuar shtetit ka marrë përgjigje të qartë: Bashkëshorti ishte i pasiguruar, ai nuk figuronte me një numër identifikimi pune dhe për rrjedhojë nuk mund të përfitojë shërbimet spitalore falas.

Të njohur me faktin shokues, përfaqësues të Sindikatës lokale të Punëtorëve në Rodos, kanë nisur përpjekjet për të ndihmuar familjen e dëmtuar. Ata kanë hapur një numër llogarie tek Emporiki Bank të cilin e gjeni këtu: 61354221.

Kurse vetë Teuta, në pritje për t'u ndihmuar nga ata që e ndjejnë se mund të bëjnë diçka për të rikthyer sadopak normalitet në familjen emigrante, pohon për NOA se pret që në numrin e saj të telefonit, 0030 6970839759, dikush të mendojë dhe për ta.

Si mund të ndihmohet familja Hyka:

Përmes bankës në numrin e llogarisë 61354221 të çelur nga Shoqata e Punëtorëve dhe mediat lokale të ishullit Kos.

Direkt duke kontaktuar me të shoqen e Spartakut, Teuta Hyka në numrin e saj të telefonit: 0030 6970839759.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA duke sensibilizuar përmes këtij reportazhi special nga Rodos, bën thirrje që kjo familje të ndihmohet për të shmangur një tragjedi të mundshme.

n.s/e.r/NOA

Në fotot: Hoteli Gaia në Mastihari-Kos të ishujve në Rodos ku punonte Spartak Hyka

Spartak Hyka dhe bashkëshortja e tij Teuta Hyka

Shënim: Ky është një prodhim i Agjencisë NOA. Mediat që do të publikojnë lajmin ftohen të respektojnë të drejtën e autorit duke cituar burimin
KOMENTE