Tiranë, 30 mars, NOA - Nëse mazhoranca nuk do të kishte rrëzuar nismat ligjore dhe propozimet e bëra nga Partia Socialiste në Kuvend, kriza politike në vend do të kishte përfunduar.
Ky është qëndrimi që Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi mbajti sot për krizën në vend, gjatë takimit me Raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin Nikolas Chountis.
Në fjalën e tij, Ruçi, ka deklaruar se PS ka ndërmarrë të gjithë hapat konkretë për zgjidhjen e kësaj krize. Ai ka theksuar se pjesë e këtyre nismave ka qenë përfaqësimi në Kuvend dhe propozimi i nismave ligjore dhe vendimmarrëse, "të cilat nëse nuk do ishin hedhur poshtë nga mazhoranca sot do të kishin zgjidhur përfundimisht krizën".
Kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së ka theksuar në vullnetin e opozitës "që Shqipëria të marrë sa më parë lajmin e shumëpritur të liberalizmit të vizave, për t'u bërë pjesë e hapësirës së lirë ku edhe shqiptarët, njësoj si fqinjët e tyre, do të mund t'i kalojnë kufijtë Europës pa pengesa".
Ndërsa ka shtuar se shqiptarët nuk mund të penalizohen për shkak të keqqeverisjes.
Zyra e shtypit e Partisë Socialiste, bënë të ditur se Raporteri i PE për Shqipërinë, Chountis u shpreh se ne do të bëjmë çdo gjë që në Shqipëri të ndërmerren të gjitha hapat demokratikë për zgjidhjen e krizës.
m.xh/NOA