Tiranë, 30 mars, NOA - Partia Socialiste i quan të ezauruara të gjitha mundësitë për gjetjen e dialogut politik. Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, në një deklaratë dhënë sot për mediat, ka theksuar se rruga e vetme për zgjidhjen e situatës janë protestat në gjithë vendin, deri dhe në zyrën e kryeministrit Sali Berisha.
"E vetmja alternativë demokratike e mbetur, është protesta në çdo cep të vendit deri në zyrën e kryeministrit, protestë që do ndalet atëherë kur Kryeministri dhe maxhoranca do ti nënshtrohen ligjit për ti hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve dhe të të gjithë skandaleve të tjera që mbajnë peng zhvillimin e vendit", është shprehur Tahiri.
Deputeti i PS-së ka reaguar dhe për raportin e KQZ-së, duke akuzuar drejtuesit e këtij institucioni për fshehje të krimit elektoral. Sipas Tahirit, deputetët e maxhorancës dhe "partizanët e KQZ, në vend që të nxirrnin përgjegjësitë për dështimin e procesit zgjedhor, lëvduan veten duke fshehur kokën si struci për manipulimin e evidentuar më së miri tashmë".
Ai theksoi se 9 muaj pas manipulimit të zgjedhjeve, maxhoranca nuk ka miratuar asnjë nismë për të mundësuar transparencën në vend.
Tahiri theksoi se mazhoranca "duket se aborton që në nisje çdo alternativë për të zgjidhur krizën e shumfishtë në vend, e bashkë me të edhe shanset për të zgjedhje të lira e të ndershme në të ardhmen".
m.xh/NOA