Bulqizë, 30 mars, NOA - Plot tetë persona kanë rënë në prangat e forcave policore të Bulqizës gjatë një aksioni të organizuar në kuadrin e zbulimit të hajdutëve të 1 mijë ton kromi në minierën e kësaj qyteze.
Lajmi është konfirmuar përmes një deklarate zyrtare të bërë publike nga vetë Policia e Shtetit, e cila e ka vlerësuar këtë aksion si të suksesshëm, pasi bëhet fjalë për një vjedhje me vlerë rreth 400 milionë lekësh të kryer nga personat në fjalë.
U bë me dijeni se ata janë konkretisht Destan Gjeta, 31 vjeç; Rinor Hoxha, 20 vjeç; Gentian Melani, 26 vjeç; Redi Çekiçi, 23 vjeç; Nuredin Jangulli, 22 vjeç; Anif Sulku, Andi Melani dhe Rami Bici.
"Pas një pune hetimore prej dy muajsh, u konstatua se këta persona kanë vjedhur në bashkëpunim kati 1 mijë ton në galerinë nr.48, e marrë me koncesion nga kompania "Albania Crom", - bëri me dijeni përfaqësuesja e Policisë së Shtetit lidhur me një fakt të tillë.
Duke shtuar në fund, se që të gjithë personat e lartpërmendur, akuzohen për veprën penale të "Vjedhjes në bashkëpunim".
n.e/NOA