Tiranë, 30 mars, NOA - Raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votimet e 28 qershorit të vitit të kaluar, vlerëson se ka patur disa probleme gjatë numërimit, por nuk mund të flitet për manipulim apo pasaktësi në rezultat.
Ky vlerësim është pjesë e raportit të KQZ-së që është paraqitur sot në Kuvend për tu diskutuar. Raporti është prezantuar për deputetët nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.
Në problematikën e vrejtur gjatë zgjedhjeve, institucioni më i lartë zgjedhor vlerëson se ka patur bllokime në disa qendra numërimi të votave. Gjithashtu problematike është cilësuar dhe pjesëmarrja e njerëzve të paautorizuar në vendet e numërtimit të votave, gjë që ka sjellë shpesh herë dhe probleme në këto ambiente.
"Ka patur vonesa në numërim, në disa raste ka patur njerëz të paligjshëm në vendet e numërimit të votave, por japim garanci se numërimi nuk është manipuluar", është shprehur sot kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani.
m.xh/NOA