English

Beqja: PD, 2.5 milionë dollarë për militantët

Tiranë, 31 mars, NOA - Partia Socialiste ka reaguar sot për abuzimet e bëra në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2009. Në një deklaratë për mediat deputeti i PS-së, Ilir Beqja, ju referua të dhënave të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për shpërdorimet që janë bërë nga institucionet qeveritare.

"PS, në mënyrë të përsëritur ka denoncuar, duke provuar me fakte, se buxheti i shtetit i vitit 2009 u vu fund e krye në shërbim të deformimit të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009", u shpreh Beqja.

Ai ka shtuar se deklarimet e denoncimet e PS-së janë konfirmuar edhe nga KLSH-ja.

Sipas tij, nga kontrollet e ushtruara është konstatuar një dëm ekonomik prej 74 milionë dollarë.

"Konstatimet e KLSH provojnë se qeveria është e korruptuar dhe se e ka vënë buxhetin e shtetit në qëllim të deformimit elektoral", u shpreh Beqja. Ai ka denoncuar dhe shitjen e pasurive publike, ku sipas tij, "për klientë të familjes politike të kryeministrit janë shpërdoruar 31 milionë dollarë".

Beqja ka sulmuar dhe një prej pikave ku qeveria pretendon se ka arritur sukses, që ka të bëjë me shpenzimet operative. "Qeveria në dietë e Sali Berishës provohet që është demagogji, sepse në shpenzimet operative janë shpërdoruar 260 mijë dollarë", tha ai.

Ndërsa një pjesë e abuzimeve, sipas deputetit të PS-së, janë përdorur për të paguar militantët. "Duke paguar dhe shpërblyer në mënyrë të paligjshme militantët partiakë janë shpërdoruar 2.5 milionë dollarë", u shpreh Beqja.

m.xh/NOA

KOMENTE