Tiranë, 31 mars, NOA - Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot nga ministri i Kulturës ringritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës dhe zhvillimin e këtij zhanri "të dashur për qytetarët, por të lënë në harresë në kohë".
Deklarata është bërë mbledhjen e sotme të qeverisë dhe kryeministri Berisha ka deklaruar se ky institucion i pazëvendësueshëm duhet të fillojë të funksionojë me mbështetjen e qeverisë.
"Në memorien e qytetarëve mbahen mend artistë të shkëlqyer e të dashur në interpretimin e këtyre veprave, por atyre iu zhduk skena. Në vend që ai që quhej teatri i estradës të lartësohej në një teatër komedie dhe satire, nuk funksionon më. Siç duket e ‘hëngrën' pallatet edhe atë", u shpreh Berisha.
Berisha ka kërkuar nga ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj që të gjendet një sallë më e përshtatshme dhe ti jepet një karakter kombëtar teatrit.
"Përveçse përpjekjeve të disa televizioneve që janë për t'u lavdëruar, ndonëse edhe ata nuk i lënë mesazhet, ekrani nuk e zëvendëson skenën. Edhe pse televizionet thonë ‘dal vivo', e vërteta është se ‘dal vivo' është në skenë. Sot, nuk dihet se ku ndodhen artistë të mrekullueshëm. Prej tyre, disa kanë emigruar për kafshatën e gojës", ka thënë Berisha
m.xh/NOA