English

British Council sjell "Darvini sot"

Tiranë, 31 mars, NOA/ Milena Selimi - Që Charles Darvin është një nga figurat më të përfolura të njerëzimit kjo nuk ka dyshim, por që është një nga figurat absolutisht më të mëdha të shkencës kjo sot është e pranuar masivisht.

"Darvini Sot" është një kontribut i "British Council" për festimin ndërkombëtar të 200 vjetorit të lindjes së Darvinit, që përkon me 150-vjetorin e publikimit të veprës së tij "Origjina e Specieve".

Aty do të ketë fotografi dhe pasqyrime të punëve të tij dhe është bërë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Ekspozita do të jetë në mjediset e Muzeut Kombëtar për disa ditë me radhë. Teoria e tij vazhdon të ndikojë dhe sot dhe është burim argumentesh dhe kundër-argumentesh të ndryshme.

Darvini ishte një biolog anglez, idetë e të cilit mbi evolucionin e bënë atë një nga shkencëtarët më me ndikim në histori. Fotografia më e famshme e tij e tregon Darvinin si një të moshuar të zymtë, me një mjekër të gjatë të bardhë.

Riçard Milner që ka shkruar për të thotë se "Ai ishte eksplorues. Ishte grumbullues informacioni. Ai ngjiti male. Ngau kuaj. Ishte një abolicionist që e urrente skllavërinë. Studioi gjeologjinë dhe botanikën. Ishte filozof. Ishte babai i 10 fëmijëve. La pas qindra studime dhe libra.

Pra, ishte një njeri i madh me mendje dhe me një jetë të shquar".

Libri i tij "Origjina e Specieve", botuar 150 vjet më parë, përshkruan vëzhgimet e tij të kujdesshme si biolog, veçanërisht përgjatë bregdetit të Amerikës së Jugut.

Libri mbi evolucionin doli më shumë se 20 vjet pasi Darvini u kthye nga udhëtimi i tij me anijen Beagle.

Pas botimit, pati reagime të fuqishme dhe shpesh negative ndaj teorisë së tij të padëgjuar deri atëherë se bimët dhe kafshët kishin qenë dhe do të ishin gjithmonë ashtu siç janë tani.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE