English

Gruevski nuk e përfill ultimatumin e Ahmetit

Shkup, 31 mars, NOA - Kryeministri Nikolla Gruevski në takimin e fundit me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti ka dëgjuar drejtpërdrejt vërejtjet dhe rekomandimin e partisë shqiptare në pushtet, që sa më shpejt të arrihet zgjidhja e kontestit të emrit.

Kjo konfirmohet edhe nga zëdhënësi i qeverisë, Shefik Duraku, i cili për agjencinë e lajmeve INA ka nënvizuar se çështja e emrit dhe mbyllja e saj në një periudhë të afërt ka qenë tema qendrore e takimit Ahmeti-Gruevski.

"Ahmeti ka theksuar qëndrimin se BDI-ja është interesuar që sa më shpejt të zgjidhet çështja e emrit për shkak se paraqitet si pengesë ngecjet e mëtejshme të integrimit të Maqedonisë strukturat euroatlantike, si dhe ka kërkuar që qershori është koha kur duhet të kemi një sinjal pozitiv se cila do të jetë koha e fundit për tu zgjidh çështja e emrit", ka theksuar Duraku, duke shtuar se Gruevski ka njohur Ahmetin për takimin e fundit me Papandreun dhe zyrtarët e lartë të BE-së.

Nga ana tjetër, në VMRO-DPMNE kanë theksuar për agjencinë e lajmeve INA se nuk pranojnë asnjë ultimatum nga kushdo qoftë, që përcakton afate të kufizuara për emrin. Nga kjo parti nuk kanë dashur të komentojnë vlerësimet që vijnë nga partnerët e tyre të koalicionit.

Lideri i "integristëve", Ali Ahmeti ka kërkuar nga Gruevski edhe intensifikimin e agjendës për realizimin e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, por edhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me investimet dhe projektet parësore qeveritare.

Po ashtu, në këtë takim është biseduar edhe për zhvillimet në vend, por edhe tema tjera aktuale pa preçizuar se cilat por dihet se janë në punët e përditshmërisë në qeveri. Ndryshe, anlisti Osman Kadriu shprehet se ai takim është i mirëseardhur dhe në kohën e duhur edhe pse nuk njihte brendinë e bisedave dhe çështjet që janë parashtruar në këtë nivel.

"Për çështjen e emrit është me rëndësi të theksohet se BDI ka një qasje pozitive, që është konform parimeve dhe konform rekomandimeve të bashkësisë evropiane. Kontesti i emrit që ka Maqedonia me Greqinë pa dyshim është një kontest i rëndë i cili neve na paraqitet si shtet dhe kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO" , tha ai.

Nga zgjidhja e çështjes së emrit thekson Osman Kadriu varet edhe statusi i vetë shtetit të Maqedonisë, kur flitet për këtë shtet dhe statusin e tij në Evropë. Kurse ne flasim për një status të avancuar të shtetit varet ku varet edhe statusi i të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoni.

"E them me shumë përgjegjësi dhe kompetencë BDI-ja insiston dhe kërkon që kjo çështje të zgjidhet sepse nga kjo çështje varet jo vetëm statusi i shtetit por edhe statusi i të gjithë qytetarëve duke u përfshirë edhe shqiptarët" , tha ai.

"Përderisa jemi qytetarë të këtij shteti edhe kërkojmë një status të avancuar, statusi i avancuar nuk mund të fitohet nëse nuk është i rregulluar edhe vet statusi i shtetit, mendoj se kjo çështje është vitale, është jetësore që ka domethënie edhe në nivel nacional edhe në atë evropian ndërkombëtar", përfundon Osman Kadriu.

NOA-INA

KOMENTE