English

Instalohet sistemi i ri i kompjuterizuar i taksave vendore

Korçë, 31 mars, NOA - Drejtori i Misionit të USAID-it, Joseph C. Uilliams dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, përuruan sot një sistem të ri të kompjuterizuar të taksave vendore në këtë qytet.

Një ditë më parë, Joseph Uilliams përuroi të njëjtin sistem edhe në bashkinë e Pogradecit me kryetarin e kësaj bashkie, Artan Shkëmbi.

Sistemi i programit, i cili u zhvillua nëpërmjet programit të USAID-it për qeverisjen vendore në Shqipëri (LGPA) mundëson një administrim më të efektshëm dhe më efikas të vjeljes së taksave dhe ofrimit të shërbimeve që do të rezultojnë në të ardhura më të mëdha nga taksat për bashkinë dhe në shërbime më të mira për qytetarët.

Deri tani, drejtoritë e taksave të Korçës dhe Pogradecit i kryente detyrat e tyre manualisht.

Ndërsa me sistemin e ri të kompjuterizuar, drejtoria e taksave në këto bashki do të ulë kohën që duhet për të llogaritur saktësisht detyrimet tatimore, për të evidentuar pagesat e taksave, do të hartojnë raporte më të mira dhe më të shpeshta dhe do të bëjnë parashikimet aq të nevojshme për të ardhurat nga taksat.

Me rritjen e të ardhurave bashkitë pritet të ofrojnë shërbime të një cilësie më të lartë për qytetarët e tyre.

Sistemi taksave është pjesë e një nisme të gjithanshme për të përmirësuar shërbimet e taksapaguesve në nivel vendor.

Drejtoritë e taksave në bashki po punojnë ngushtë me shoqatat e biznesit të vogël për të rritur shkëmbimin e informacionit midis punonjësve të taksave në këto bashki dhe komunitetit të biznesit.

Përveç kësaj, me mbështetjen e Programit USAID/LGPA, bashkitë e Korçës dhe Pogradecit kanë përgatitur një seri fletëpalosjes për të informuar qytetarët dhe bizneset për përgjegjësitë e tyre tatimore, duke thjeshtëzuar kështu procesin për taksapaguesit vendorë.

Deri më sot, USAID/LGPA ka instaluar shërbimin e kompjuterizuar të taksave në 5 bashki, si Lezhë, Fier, Fushë-Krujë, Korçë, dhe Pogradec.

USAID/LGPA ka shpenzuar si kontribut një shumë mbi 370 milionë lekë për kompjuterizimin e drejtorive të taksave për 10 bashkitë partnere, përfshirë këtu rreth 3 milionë lekë në Pogradec dhe 3.5 milionë lekë në Korçë.

n.e/NOA

KOMENTE