Prishtinë, 31 mars, NOA - Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që brenda pak orësh të bëjë publik vendimin e saj për ndryshimet në kabinetin qeveritar si dhe të propozojë emrat e rinj për dikasteret.
Kryesia e LDK-së, i cili është në fakt partneri i dytë pas PDK-së në qeverisje, ka nisur një takim sot herët në mëngjes për të marrë vendimin mbi largimin e një numri ministrash dhe emërimin e kandidatëve të rinj, në kuadër të paralajmërimeve për ndryshime në qeverinë e Kosovës.
Mësohet se LDK-ja është pajtuar që zëvendësojë tre nga ministrat e saj, aq sa do të ndryshojë edhe partneri më i madh në qeveri, PDK-ja.
Partia Demokratike e Kosovës nga ana e saj ka bërë me dijeni përmes kryeministrit Hashim Thaçi, se ndryshimet janë të domosdoshme dhe ato do të bëhen në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Ndryshimet në qeveri, që u quajtën edhe si riformatim, u paralajmëruan në periudhën e përplasjes mes dy partnerëve në koalicion, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në nëntor të vitit të kaluar.
n.e/NOA