Prishtinë, 31 mars, NOA - Shefi i zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë, Peter Feith thotë se zyra e Bashkimit Evropian, e hapur në veri të Mitrovicës forcon strategjinë për integrimin e Veriut të Kosovës. Zgjedhjet e organizuara nga Serbia s'do të njihen.
"Ne gjithmonë e kemi thënë se zgjedhjet në Mitrovicë, si dhe elementet e tjera në objektivat tona, varen shumë nga pranimi nga banorët lokalë, që do të thotë se janë qytetarët në veri ata, që do të përcaktojnë se sa shpejt mund të realizojmë objektivat tona dhe sa shpejt mund të mbajmë zgjedhjet në Mitrovicën Veriore".
Z.Feith, një javë më parë në veri të Mitrovicës u hap Shtëpia e BE-së. Cili mund të jetë roli i kësaj zyre të BE-së në Veri?
Mendoj se është sqaruar shumë mirë nga ambasadori Giffoni, shef i kesaj zyre, se Bashkimi Evropian dëshiron të ketë një prani më të madhe në Veri për të punuar në respektimin e sundimit të ligjit dhe për t'i dhënë EULEX-it më shumë mundësi që të ushtrojë mandatin e tij. Kjo ishte e para. E dyta, që qytetarëve të veriut t'iu prezantohen vlerat evropiane, t'iu ofrohen shërbime më të mira dhe t'iu përmirësohet standardi jetësor dhe kushtet socio-ekonomike. Dhe unë pajtohem plotësisht me ketë sqarim. Mendoj se ajo çka ne të gjithë, Bashkimi Evropian, organizata ime dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare, duam të bëjmë është të punojmë me qytetarët në veri dhe si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian dua të shtoj dhe të përsëris atë, që ka thënë ambasadori Giffoni, se perspektiva edhe e Kosovës edhe e Serbisë është në afrimin me Bashkimin Evropian dhe se kjo përpjekje duhet të përfshijë edhe veriun e Kosovës. Kështu procesi i stabilizim asociimit, i cili në thelb nënkupton se duhen bërë përmirësime në qeverisje, standarde, përmirësimin e kushteve të jetës sociale dhe ekonomike, duhet të ketë ndikimin e vet edhe në veriun e Kosovës në të mirë të qytetarëve në veri.
A është kjo pjesë e strategjisë për veriun e Kosovës?
E plotëson atë, është plotësuese. Ne kemi iniciuar ide të ngjashme me qeverinë dhe është e qartë se ekziston një komponent, për të cilin qeveria është veçanërisht e interesuar dhe ai është decentralizimi dhe dëshira e qeverisë për të krijuar lidhje administrative me komunat dhe në radhë të parë të shikohet mundësia për krijimin e komunës së re në Mitrovicën e veriut dhe për mbajtjen e zgjedhjeve, siç kemi bërë edhe në komunat me shumicë serbe në pjesën jugore. Pra unë mendoj se këto përpjekje e plotësojnë njëra tjetrën dhe ajo, që në fund të fundit na bashkon të gjithë neve, është interesimi për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët në veri, që të punojmë me ta dhe të përmirësojmë kushtet e tyre jetësore.
Z.Faith, a po shtyhen proceset e paralajmëruara këtë vit për veriun, siç është krijimi i komunës së veriut të Mitrovicës?
Për këtë dua t'i referohem asaj, që ka thënë ministri Ferati. Ne gjithmonë e kemi thënë se zgjedhjet në Mitrovicë, si dhe elementet e tjera në objektivat tona, varen shumë nga pranimi nga banorët lokalë, që do të thotë se janë qytetarët në veri ata, që do të përcaktojnë se sa shpejt mund të realizojmë objektivat tona dhe sa shpejt mund të mbajmë zgjedhjet në Mitrovicën Veriore. Prandaj akoma nuk kemi caktuar ndonjë datë. Së pari do të ketë zgjedhje, që do të organizohen nga Serbia, por shpresojmë se shpejt pas tyre ne do të mbajmë zgjedhjet, siç janë paraparë nga qeveria.
Edhe Beogradi ka paralajmëruar zgjedhje në veri të Mitrovicës, sa e komplikon kjo procesin dhe cili është qëndrimi i juaj përballë këtyre zgjedhjeve serbe?
Për pjesën e fundit të pyetjes suaj, si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar (ICR), më duhet të them se ne nuk do të njohim rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura nga Serbia, dhe si ICR po e përsëris, ne do të fokusohemi në zgjedhjet, që do të mbahen nën autoritetin e autoriteteve të Prishtinës. Për atë se sa do të vonojë kjo gjërat është vështirë t'i parashikosh, duhet të shohim se si do të jetë përgjigja e banorëve lokalë, sepse pranimi prej tyre ta është qartazi faktor përcaktues. Ne mendojnë se kryesorja është që BE-ja dhe ndërkombëtarët e tjerë të kenë mundësi të lëvizin më lirisht në veri dhe që të ketë më pak rezistencë ndaj pranisë sonë. Kjo prani nuk duhet të shihet si kërcënim. Dhe ne duhet të shohim se si do të funksionojë kjo me kalimin e kohës, kështu që shpresoj që pas zgjedhjeve paralele kushtet do të jenë më të përshtatshme dhe që temperaturat do të ulen, dhe që njerëzit në veri do ta kuptojnë dhe pranojnë se ne kemi qëllimet më të mira dhe që krejt kjo nuk është kërcënim për ekzistencën e tyre, apo për mënyrën e tyre tradicionale të jetës. Përveç kësaj, siç e dini, qeveria ka pranuar dispozitat nga plani i Ahtisaarit se do të ketë lidhje të privilegjuara mes Beogradit dhe komunave në veri në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, dhe kjo në njëfarë mënyrë do të jetë një shkallë e gjerë e autonomisë për qytetarët e veriut. Pra e gjithë kjo ofertë vazhdon të mbetet e hapur dhe varet nga popullata dhe njerëzit në veri që të peshojnë përparësitë e të gjithë kësaj, në mënyrë të kujdesshme dhe pa emocione.
Sekretari i Shtetit në ministrine serbe për Kosoven, Oliver Ivanoviç, ka kërkuar nga qeveria e Serbisë që gjysmën e ministrisë për Kosovën ta zhvendosë në veri të Mitrovicës, sa është shqetësuese kjo për misionin e BE-së?
Kam parë një lajmërim në lidhje me ketë të bërë nga Oliver Ivanoviç Të shohim së pari a do të realizohet në realitet ajo, çka thotë ai. Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një garë ndërmjet zyrtarëve serbë, që vijnë në Kosovë dhe homologëve të tyre apo autoriteteve Kosovare.
Mendoj se realiteti në jug të lumit Ibër është i qartë dhe shumë serbë në komuna kanë pranuar që të punojnë me institucionet qendrore dhe se kjo gradualisht po konsolidohet dhe se ne tani po shohim një qeverisje shumë më të mirë dhe një rregullim shumë më stabil në këto komuna. Një profil shumetnik, për të cilin të gjithë kemi punuar gjithmonë dhe unë besoj se kjo do të jetë e ardhmja e Kosovës, që do të thotë demokraci moderne shumetnike, ku popullsia shqiptare dhe ajo serbe të mund të jetojnë dhe punojnë se bashku në atmosferë tolerance dhe pajtimi. Pra në vend qö të angazhohen njerëz dhe resurse për të bërë garë me njëri tjetrin dhe për të parë se kush po del i pari le të punojmë për një model shumetnik.
Feith, të kthehemi tek skena e brendshme politike. Janë paralajmëruar ndryshime në qeverisjen e vendit, janë përmendur mundësitë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, cili nga këto dy opsione është i pranueshëm për ju?
Nuk mendoj se kjo pyetje ka të bëjë me zgjedhjen mes kësaj apo asaj. Mendoj se i përket Kryeministrit të vendosë për riorganizimin e qeverisë, e kam thënë ketë edhe më herët dhe i përket atij, që të vendosë për kohën, personat dhe përgjegjësitë. Pra tërë kjo mbetet në duar të kryeministrit Thaçi që të udhëheqë këtë përpjekje. Kjo është një praktikë normale që një ekip i koalicionit rifreskohet pas një periudhe të caktuar të kohës, ndoshta diku ka gjysma e mandatit, mendoj se kjo është një mënyrë e natyrshme dhe e mirë për të ecur përpara. Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, ju e dini se çka thotë ligji dhe çka thotë kushtetuta. Mandati është katërvjeçar dhe zakonisht, nëse nuk ndodh asgjë tjetër, qeveria duhet të jetë në gjendje që të vazhdojë ushtrimin e përgjegjësive të veta në bazë të mbështetjes së shumicës në Kuvend deri në fund të vitit 2011.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është cilësuar si një përparësi në punën tuaj dhe qeverisë së Kosovës. Sa po zhvillohet kjo luftë?
Unë kam thënë çfarë kam thënë për ketë dhe mendoj se nuk jam i vetmi. Të gjithë kemi dëgjuar, çfarë ka deklaruar Komisionari Fule, çfarë ka thënë baronesha Ashton, e cila vizitoi Kosovës para Komisionarit dhe çka ka deklaruar kolegu im, shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian. Raporti i progresit është i qartë se Kosova duhet të bëjö më shumë për të siguruar qeverisje të mirë dhe për përmirësimin e reputacionit të saj duke tërhequr kështu investime, në mënyrë që ekonomia të zhvillohet. Unë nuk kam çfarë t'i shtoj kësaj vetëm mund të përsëris atë çfarë tashmë kemi thënë. Duhet bërë më shumë përpjekje.
Sa ka shanse për arrestime të nivelit të lartë, ju keni fuqi ekzekutive a do të duhej t'i përdorni këto fuqi?
Mendoj se kjo çështje në radhë të parë i përket gjyqësorit, do të thotë EULEX-it dhe gjyqësorit të Kosovës. Nëse janë duke u zhvilluar hetime, atëherë kjo mund të çojö në procedura të mëtejshme në bazë të akuzave. Nuk më përket mua që të mbaj ndonjë qëndrim për ketë. Në ketë moment i përket institucioneve gjyqësore që të bëjnö punën e vet dhe nëse është e nevojshme të sjellin në gjykatë njerëzit, që janë nën hetime. Dhe unë po e përcjell ketë me interesim të madh.
I keni kërkuar kryeministrit Thaçi, shkarkimin e ndonjë ministri në qeverinë e tij?
Jo, jo, jo. Nuk kam ndonjë koment të veçantë për të bërë në lidhje me pyetjen tuaj. Vetëm mund të përsëris atë, që e thashë. Dhe mendoj se Kryeministri pajtohet plotësisht me ketë. Kjo është çështje për institucionet gjyqësore.
Deutche Velle