Prishtinë, 31 mars, NOA - Zenun Pajaziti, Arsim Bajrami dhe Idriz Vehapi janë tre ministrat e shkarkuar nga kabinetit qeverisës i Kosovës, lajm ky i konfirmuar nga vetë kryeministri Hashim Thaçi.
Ndërkaq, ai ka publikuar edhe emrat e ministrave të sapoemëruar në qeverinë e re të Kosovës, të cilët do të jenë Edita Tahiri, ministre e Administratës Publike; Besim Beqaj, ministër i Integrimeve Evropiane; Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme; Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë; Bujar Bukoshi, ministër i Shëndetësisë; Haki Demolli, ministër i Drejtësisë dhe Lutfi Haziri, ministër i Kulturës.
Nga ana tjetër, partia tjetër aleate në qeverinë e Kosovës, Lidhja Demokratike, ka shkarkuar tre ministra në qeverinë e Thaçit: Nekibe Kelmendi, Alush Gashi dhe Valton Beqiri.
Ky është vendimi që ka marrë Kryesia e LDK së në takimin e paradites për ndryshimet e kërkuara në qeveri, siç u tha, me qëllim që të përmirësohet perfomanca e qeverisë së Kosovës.
Ndryshimet në qeveri, që u quajtën edhe si riformatim, u paralajmëruan në periudhën e përplasjes mes dy partnerëve në koalicion, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në nëntor të vitit të kaluar.
n.e/NOA