Tiranë, 31 mars, NOA - Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen e financimit për ndërtimin e unazës së rrjetit elektrik të jugut. Bëhet fjalë për një projekt, investimi i të cilit do të kushtojë 11 milion euro. Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij në lidhje me projektin, u shpreh se investimi i gjithë rrjetit shkon në rreth 70 milion euro.
Berisha vlerësoi se rindërtimi i sistemit të transmetimit të energjisë në jug "përbën një domosdoshmëri të madhe, pasi parametrat, për shkak të distancës, ‘vuajnë' në zonën e turizmit".
Ai theksoi se ndërtimet e reja energjetike që po bëhen në burimet ujore të jugut do të sjellin një balancim të sistemit energjetik.
Një tjetër marrëveshje e miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë ka qenë dhe ajo me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për rishpërndarjen e fondeve për financimin e projektit "Menaxhimi i integruar i ujërave dhe ekosistemeve".
m.xh/NOA