Tiranë, 31 mars, NOA - Rreth 3734 qytetarë shqiptarë kanë depozituar ankesa pranë institucionit të Avokatit të Popullit gjatë vitit 2009. Edhe për këtë vit, raporti vjetor voluminoz i këtij institucioni tregoi se gjakmarrja, trafiku i qenieve njerëzore, dhuna në familje, aksidentet në punë e ato rrugore, mbipopullimi i burgjeve apo vonesat e gjykimit të çështjeve në gjykata, vazhdojnë të shqetësojnë qytetarët.
Në mungesë të kryetarit të institucionit Ermir Dobjani, të cilit prej një muaji i ka mbaruar mandati, raporti është lexuar nga komisioneri Riza Poda.
Sipas raportit, e drejta e njeriut cënohet në Shqipëri dhe si pasojë e armëve pa leje të cilat kanë shkaktuar shumë viktima.
Por këto të dhëna janë kundërshtuar nga deputeti i maxhorancës, Enkelejd Alibeaj.
Ai ka akuzuar Avokatin e Popullit se po bie në gjumë letargjie ndërsa raportin vjetor të 2009 e ka cilësuar një "copi paste" të raportit të shkuar.
Sipas Alibeaj, institucioni i Avokatit të Popullit duhet të rrisë gamën e çështjeve që shqyrton dhe të mos mbetet vetëm si pritës i ankesave.
Alibeaj ka kërkuar që ky institucion të çojë deri në fund ankesat e qytetarëve deri në kallëzime penale ndaj gjykatës, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më sot.
Gjatë vitit 2009 pranë Avokatit të Popullit janë depozituar 3734 ankesa prej të cilave vetëm 823 prej tyre kanë marrë një përgjigje dhe 34 për qind e çështjeve janë zgjidhur në favor të palës paditëse.
Në raport thuhet se 373 ankesa janë në shqyrtim dhe 365 janë të mbartura nga viti 2008.
b.a/NOA