Tiranë, 31 mars, NOA - Integrimi i vendit në Bashkimin Europian mund të kushtëzohet nga mungesa e dialogut mes klasës politike. Ky është mesazhi që ka dhënë sot, gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi, Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Xhovani Pitela.
Në bisedën e zhvilluar me kreun e shtetit, Pitela nuk ka komentuar situatën politike në mënyrë direkte, por ka lënë të kuptohet se zhvillimet e fundit mund të sjellin probleme për integrimin.
"Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, duke shprehur besimin se Shqipëria do të arrijë të përmbushë me sukses dhe sa më shpejt detyrimet integruese për në Bashkimin Evropian, theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në vend për këtë proces", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës në lidhje me takimin.
Pitela ka vlerësuar rolin moderues të Presidentit Topi për zgjidhjen e ngërçit aktual politik, duke vënë në dukje edhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Presidenti Bamir Topi e ka njohur eurodeputetin italian me situatën politike në vend, si dhe vlerësuar nivelin e lartë të marrëdhënieve me Parlamentin Evropian.
Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të liberalizimit të vizave, i cili do të sigurojë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë, si një hap përshpejtimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
"Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE i shërben stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni dhe afirmon njëkohësisht rolin e BE-së, si një organizatë ndërkombëtare me influencë të gjerë. Shqipëria kontribuon mjaft në rritjen e stabilitetit në rajon me anë të rritjes së bashkëpunimit me vendet fqinje, dhe jep garanci për zhvillimin e tij, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm", ka thënë Topi.
Pitela shoqërohej në takimin me Presidentin nga ambasadori italian në Shqipëri, Saba D'Elia.
m.xh/NOA