English

Urgjent - Sali Berisha takohet me Edi Ramën, vendoset hapja e kutive dhe zgjedhje të parakohshme

Tiranë, 1 Prill 2010 NOA - Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim urgjent jashtë vëmendjes së mediave me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Mësohet se takimi ka përfunduar disa minuta më parë dhe pritet që një komunikatë e përbashkët për shtyp të dalë për mediat, për të konfirmuar vendimin e marrë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

Mësohet se takimi mes Sali Berishës dhe Edi Ramës është bërë pak orë pasi ky i fundit mbërriti në Tiranë pas vizitës që zhvilloi në Sarajevë në konferencën për Ballkanin të të majtëve evropianë (PSE).

Bëhet e ditur se Berisha dhe Rama kanë rënë dakord që komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, të pranohet edhe nga PS dhe ndër objektet e tij të ketë edhe hapjen e kutive, por kjo do të bëhet jo në tërësi por me short për disa zona zgjedhore.

Ndërkohë në takim është rënë dakord që të shpallen zgjedhje të parakohshme por këto të zhvillohen jo më parë se gushti i këtij viti me qëllim që të mos dëmtohet procesi i liberalizimit të vizave.

Madje Berisha dhe Rama kanë vendosur t'i drejtohen me një thirrje të përbashkët evropianëve që të realizojnë heqjen e vizave për shqiptarët brenda muajit Prill 2010 me qëllim që qytetarët të lëvizin lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

e.r/NOA

Shënim: Sot është 1 Prilli dhe duke besuar në mirëkuptimin e lexuesve, ky lajm është në kuadrin e ditës së gënjeshtrave që cdo vit kalon jo pa shaka të tilla. Sigurisht që disa njerëz do të gëzoheshin me një lajm të tillë e disa të tjerë jo, por një gjë është e sigurt: Askush nuk do të ishte kundër, për një thirrje të përbashkët të liderëve kryesorë të politikës, në të mirë të shqiptarëve dhe integrimit të tyre.

KOMENTE