English

Vasili: Mjekët, kontrata sipas kualifikimeve

Tiranë, 31 mars, NOA / Blerina Ahmetaj - Që nga ky vit, të gjithë profesionistët në sektorin e shëndetësisë do t'u nënshtrohen kualifikimeve të cilat do të zgjasin 5 vjet, ndërsa pas këtij cikli, ata do të çertifikohen për profesionet e tyre duke siguruar në këtë mënyrë vazhdimësinë e punës.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi sot se ka ardhur koha që të maten njohuritë e gjithësecilit për të siguruar në këtë mënyrë një cilësi të kujdesit dhe shërbimit ndaj pacientit.

"Unë e di që kjo garë është shumë e fortë dhe në fund të saj do të fitojnë ata që kapin ritmin, që do të përditësojnë njohuritë e tyre, ndërsa të tjerët, më të lodhurit do të zgjedhin nëse duan të vazhdojnë të punojnë në profesionin e tyre", u shpreh Vasili.

Për të mbajtur vendin e punës, sipas tij, punonjësit e shëndetësisë janë të detyruar të ndjekin trajnime, konferenca mjekësore apo seminare shkencore.

Çdo orë e ndjekur është baraz me një kredit dhe shuma e detyruar e krediteve është 150, e cila do të mblidhet në fund të çdo cikli 5-vjeçar.

Ndërsa për lektorët e seminareve, një kredit do të jetë i barabartë me një orë e gjysmë. Nëse mjeku, farmacisti, stomatologu etj, nuk i plotësojnë këto kredite, do t'u jepet mundësia të tregojnë njohuritë e tyre në provim, nëse dhe këtu humbin shanset atëherë atyre do t'u rishihen kontratat e punës me ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas të dhënave të ministrisë, për procesin e çertifikimit ka nisur regjistrimi i profesionistëve ku deri tani numërohen rreth 6 mijë mjekë e farmacistë, proces ky që vazhdon akoma.

Për të inkurajuar personelin mjekësor që të kualifikohet, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore ka përfshirë në kontratat e saj me shërbimin parësor dhe më vonë me atë spitalor bonuse mbi pagat e mjekëve.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE