Tiranë, 1 prill, NOA - Një akuzë e rëndë mbërriti sot në drejtim të organit të akuzës nga ana e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë, Adriatik Llalla, sipas të cilit ai mbyll qëllimisht dosjet e disa zyrtarëve të akuzuar për fshehje të pasurisë.
Një pohim të tillë ai e bëri gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar të Ligjeve, ku raportoi për punën e kryer gjatë vitit 2009 nga ana e këtij institucioni.
Sipas Llallës, prokuroria punon me standarde të dyfishta dhe se nuk ka reaguar ndaj kërkesave për ndjekje penale kundrejt zyrtarëve me konflikt interesi dhe që kanë fshehur pasurinë.
Konkretisht, kreu i ILDKP-së përmendi raste të mbylljes së dosjes hetimore ndaj tre zyrtareve të cilët fshehën pasurinë në shuma që kapin shifra 300-800 mije euro.
Pa përmendur emra konkretë, Llalla tha se bëhet fjalë për një zyrtar të Kuvendit, një prokuror dhe një ambasador, ndaj të cilëve prokuroria i ka mbyllur çështjen.
"Prokuroria punon me dy standarde: për zyrtarë lokalë ajo punon seriozisht dhe për zyrtarë të lartë pushon çështjet", akuzoi kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe dy punonjës lokalë, një në bashkinë e Tiranës dhe një anëtar të KKRT në këtë bashki, të cilët sipas tij kanë konflikt interesi në dhënien e lejeve të ndërtimit.
n.e/NOA