English

Investimet, Vasili: Brenda vitit 2010, pesë spitale të reja

Tiranë, 1 prill, NOA - Brenda vitit 2010 do të përfundojë ndërtimi i pesë spitaleve në vend. Vetëm Tirana do të ketë 2 spitale të rinj, njëri në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" dhe tjetri do të jetë spitali rajonal, pranë spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive në Sauk.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, raportoi sot para deputetëve të maxhorancës në komisionin kuvendor të shëndetësisë projektet më ambicioze që do të sjellin një transformim të shërbimit spitalor duke e ngritur atë në nivelin evropian.

"Këtë vit mund të themi pa frikë se kemi një bum investimesh në shërbimin spitalor. Me porosi të vetë kryeministrit Berisha, tashmë i kemi dhënë fund arnimeve dhe po përqendrohemi në ndërtimet e reja me synim rritjen e cilësisë së shërbimit për pacientin. Përveç Tiranës, spitale të reja pritet të përfundojnë në Kavajë, spitali rajonal në Elbasan dhe spitali psikiatrik në Shkodër", u shpreh Vasili.

Duke u fokusuar në dy spitalet e reja në Tiranë, që pritet të përfundojnë brenda kësaj vere, ministri Vasili theksoi se "me këto projekte i jepet fund elementeve menaxheriale të vjetruara dhe decentralizimit të shërbimeve, të cilat shkaktonin kosto të panevojshme dhe ndonjëherë dhe shpërdorim të fondeve".

Projektet e spitaleve të rinj mendohet të jenë të një strukture moderne në të gjitha llojet e pikëpamjeve, si nga mënyra e ndërtimit, por edhe nga cilësia dhe numri i shërbimeve që ofronjnë.

Projekti për ndërtimin e spitalit të ri në QSUT është financuar nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Europës me vlerën 14 milion dollarë dhe nga qeveria shqiptare me 7.4 milion dollarë. Këto shpenzime do të mbulojnë vetëm ndërtimin e godinës.

Për pajisjet mjekësore, investimi është financuar nga qeveria shqiptare në masën 11 milion euro.

b.a/NOA

KOMENTE