English

Mashtrimi, SMS dhe E-maile ju bëjnë fitues pastaj ju zhvasin para'

Tiranë, 1 prill, NOA - Jeni shpallur fitues i çmimeve deri në 500 mijë paund, por tani duhet të jepni një shumë parash, gjoja për të paguar taksa të llojeve të ndryshme, si DHL për dërgesa apo shërbime të ndryshme etj.

Kjo është forma më e fundit e mashtrimit e zgjedhur ndaj qytetarëve nga disa persona, të cilët përmes mesazheve telefonike apo postës elektronike në adresat e internetit, i kanë bërë shumë prej tyre të besojnë se janë fitues të çmimeve të ndryshme, por nuk është aspak kështu.

Madje për të qenë sa më të besueshëm për viktimat e tyre, mashtruesit dërgojnë në adresat e postës elektronike fotografi dhe të dhëna personale të personave të ndryshëm, duke i bërë qytetarët të besojnë se janë presidentë të fuqishëm të kompanive të mëdha dhe duke arritur në disa raste të përfitojnë shuma të mëdha parash prej tyre.

Kjo është skema më e fundit e mashtrimit e konstatuar nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila përmes një njoftimi të saj ka bërë me dijeni gjithë detajet e saj për t'i paralajmëruar qytetarët të ruhen sa më shumë në mënyrë që të mos ta pësojnë.

Madje policia hedh dyshimin se kjo skemë mashtrimi realizohet me qëllim përfitimin prej tyre në mënyrë të paligjshme të parave apo përdorimin e të dhënave të tyre personale për qëllime kriminale.

"Për këto raste nga sektori kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë marrë kallëzimet nga qytetarët e mashtruar dhe po kryhen hetimet përkatëse për veprën penale të "Mashtrimit kompjuterik", parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal, duke bashkëpunuar dhe me strukturat policore të shteteve të tjera, pasi nga të dhënat e deritanishme rezulton se këto persona e kryejnë këtë veprimtari të paligjshme jashtë territorit të Shqipërisë", thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Duke përfunduar se i fton qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, si dhe për çdo rast të informojnë policinë përmes numrit telefonik 06941 0 2688.

n.e/NOA

KOMENTE