Sarajevë, 1 prill, NOA - Qëndrimi i diplomacisë shqiptare ndaj çështjes së Bosnje-Hercegovinës është vlerësuar si mjaft pozitiv nga Përfaqësuesi i Lartë i OKB-së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Bosnjë-Hercegovinën, Valentin Inzko, gjatë takimit të zhvilluar sot me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta.
"Përkrahja që Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe me rol të spikatur për stabilitetin dhe integrimin e rajonit i jep Bosnjë-Hercegovinës, është e një rëndësie të veçantë, dhe për këtë unë ju jam mirënjohës", ka deklaruar përfaqësuesi i OKB-së dhe BE-së për Bosnjën, Valentin Inzko.
Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar rëndësinë e madhe që ka për të gjitha vendet e rajonit bashkëpunimi mes tyre në procesin e integrimit evropian. Gjithashtu është vlerësuar roli i Shqipërisë me politikën e jashtme konstruktive.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta e informoi përfaqësuesin e OKB dhe BE, Inzko për tërësinë e reformave te realizuara nga qeveria shqiptare, duke u ndalur në plotësimin e të gjitha kritereve që kërkon procesi i liberalizimit te vizave.
m.xh.NOA