Tiranë, 1 prill, NOA Update - Ndërsa kryeministri Berisha i ka bërë thirrje kryebashkiakut Rama të bashkëpunojë me qeverinë për rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej", kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, u shpreh se kjo ka qenë shashka e radhës e tij.
"Duke kërkuar që të tërheqë vëmendjen nga problemet e vërteta të vendit dhe kërkesën e vazhdueshme të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit, Berisha na foli këtu për sheshin "Skënderbej". Pas fjalës së tij, më mbetet vetëm të them: Kush foli, për kë foli dhe ku foli", tha Ruçi.
Duke sqaruar se foli kryeministri, të cilit sipas tij nuk i takon të flasë për çështje që i takojnë bashkisë, në parlament që nuk ka vend për këto çështje dhe për sheshin, që është jashtë debateve politike.
Në këtë kuadër, Ruçi e konsideroi si të qëllimtë për të larguar vëmendjen e publikut, fjalimin nga foltorja e Kuvendit të kryeministrit Berisha për sheshin "Skënderbej".
Por menjëherë ka reaguar kryeministri Sali Berisha, i cili iu drejtua socialistëve se "çështjen e Sheshit duhet ta nxjerrin jashtë pasioneve politike".
n.e/NOA