Tiranë, 1 prill, NOA - "Ne jemi sërish sot në këtë sallë për të dëshmuar gjithmonë e më fort se në themel të të gjitha krizave që po kalon vendi është trajtimi i votës dhe vullnetit të qytetarit".
Kështu e ka komentuar praninë e deputetëve socialistë në parlament, deputeti Fatmir Xhafaj gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke pohuar se ata kanë dhënë zgjidhje konkrete që mundësojnë transparencën dhe kushtetueshmërinë e një procesi hetimor parlamentar. "Askush nga ju dhe as kryeministri personalisht në të gjithë debatin e zhvilluar nuk i ka dhënë ende përgjigje pyetjes se nëse sipas arsyetimit tuaj nuk mund të hapen kutitë për të cilat paska një vendim gjyqësor cili është argumenti që do të pengonte hapjen e kutive zgjedhore për të cilat nuk ka pasur shqyrtim gjyqësor dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë vendim gjykate?", tha Xhafaj.
Sipas tij, në të kundërt, në këmbim të këtyre zgjidhjeve me sens kompromisi, PS ka marrë vetëm akuza dhe demagogji.
"Kjo provon qartazi se thelbi i refuzimit për transparencë nuk është meraku për kushtetueshmërinë dhe pavarësinë e gjyqësorit, për të cilat ju keni rekorde spektakolare negativiteti, por gjithçka është politike", përfundoi Xhafaj.
n.e/NOA