Tokio, 2 prill, NOA - Një gazetar japonez është marrë peng, në një zonë të kontrolluar nga talibanët në Afganistan. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i qeverisë në Tokio.
"Kosuke Tsuneoka, 40 vjeç, gazetar i pavarur është marrë peng", ka thënë zëdhënësi i qeverisë japoneze, Hirofumi Hirano, pa dhënë detaje mbi vendndodhjen e saktë dhe kohën e rrëmbimit.
Bëhet e ditur se nga momenti që gazetari ka rënë në duart e talibanëve, në rajonin verior të vendit, nuk ka më lajme prej tij.
Ndryshe nga aleatët e saj perëndimorë, Japonia nuk ka trupa në Afganistan, por ka marrë pjesë në procesin për rindërtimin e vendit me një fond prej 5 miliardë dollarë për pesë vjet.
a.k/NOA