English

Aleanca e Gay-ve: Rasti i Klodian Çelës nuk është i vetëm

Tiranë, 2 Prill, NOA - Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dënoi sot me forcë reagimet fyese ndaj familjes Çela, reagime që dhunojnë dinjitetin dhe personalitetin e qytetarëve të Shqipërisë dhe shkelin hapur ligjin për mbrojtjen e pakicave seksuale.

Nga ana tjetër, Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT përshëndeti dhe falënderoi z. Xhon Uidhers, Ambasadorin Amerikan dhe z. Bernd Bochardt, Ambasadorin Gjerman dhe aktivistë shqiptarë të të Drejtave e të Njeriut për qëndrimin e mbajtur në mbështetje të familjes së Klodian Celës, të riut lezhjan që deklaroi homoseksualitetin e tij publikisht.

"Rasti i Klodian Çelës nuk është i vetëm. Ka sot në vendin tonë një numër të madh njerëzish që kanë frikë deklarojnë seksualitetin e tyre për të mos vuajtur të njëjtat pasoja", - deklaron Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT.

Sipas saj, të rinjtë e komunitetit LGBT vuajnë nga diskriminimi, ndihen të pambrojtur nga strukturat shtetërore dhe shpesh janë keqkuptuar dhe nga një pjesë e medias. Megjithatë, Aleanca dhe personat që e mbështesin atë do të vazhdojë përpjekjet për të zhdukur stigmën e "turpit" dhe "fajësisë" për zgjedhjen seksuale.

Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT tha edhe se i bën thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare të respektojnë dinjitetin, nevojat dhe mirëqenien e të rinjve të këtij komuniteti dhe i fton të punojnë për të krijuar imazhin e Shqipërisë përparimtare, demokratike dhe respektuese të normave evropiane.

Aktivistët e Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dëshirojnë të pohojnë se vazhdimisht do të jenë prezent dhe do të mbështesin të drejtën e çdo individi për të deklaruar hapur seksualitetin e tij/ të saj.

"Ne tregojmë gatishmërinë tonë për t'i qëndruar pranë familjeve shqiptare që kanë fëmijë apo të afërm homoseksualë, duke dhënë të gjithë mbështetjen tonë në mënyrë që të krijohet fryma e pranimit dhe mirëkuptimit, e domosdoshme për çdo shoqëri të emancipuar", - thuhet në deklaratën për shtyp.

Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT, është një organizatë jo-qeveritare, e krijuar ne vitin 2009, që synon një shoqëri të lirë, të hapur dhe të barabartë dhe përqafon shumëllojshmërinë duke përfshirë personat që i përkasin të gjithë orientimeve seksuale dhe identiteteve gjinore.

Ajo thotë se mbështet fuqizimin një komunitet të dukshëm dhe gjithëpërfshirës LGBT ndërgjegjësimin mbi çështjet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Më shumë mbi argumentin: Uidhers: Nuk po mbroj Big Brother, jam ambasador i SHBA

e.r/NOA

KOMENTE