Tiranë, 2 prill, NOA - Anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, përbën ngjarjen më të madhe historike për vendin tonë që nga shpallja e pavarësisë si edhe më të rëndësishmen për sigurinë që nga koha e Skënderbeut.
Kështu e ka cilësuar kryeministri Berisha pranimin e Shqipërisë në NATO, gjatë fjalës së tij në konferencën jubilare që po mbahet në Akademinë Ushtarake "Skënderbej", me rastin e 1-vjetorit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO.
Duke u drejtuar një mirënjohje të thellë vendeve që pranuan Shqipërinë në këtë Aleancë, ai nuk harroi edhe falënderimet ndaj presidentit aktual amerikan, Barak Obama si edhe pararendësit të tij, Xhorxh Bush, që dhanë ndihmesën e tyre në këtë proces.
Sipas kryeministrit Berisha, anëtarësimi në NATO përbën një nxitje për vendin tonë, duke thënë se hapi i parë i realizuar që pas këtij procesi, ka qenë ai i mbajtjes së zgjedhjeve me standarde.
"Por vitin e parë të anëtarësimit në NATO, ne na pranuan edhe kërkesën për statusin e kandidatit në Bashkimit Evropian", shtoi ai.
Më tej, ai shtoi nevojën e miratimit të çdo ligji të duhur, në mënyrë që standardet të plotësohen edhe nga qytetarët shqiptarë.
Në një vit sipas tij, Forcat e Armatosura po punojnë për të shkuar drejt një ushtrie profesioniste dhe po hedhin hapat e duhura ndaj këtij objektivi.
n.e/NOA