English

Bode: Ekonomia shqiptare nuk njeh krizë

Tiranë, 2 prill, NOA - Në një kohë që komuniteti i biznesin ankohet për vështirësi financiare të aktivitetit, si pasojë e efekteve të krizës ekonomike, ministri i financave Ridvan Bode duket se nuk ndan të njëjtin mendim.

Sipas tij, pranvera ka nisur mbarë për ekonominë, duke zbehur çdo pesimizëm të zyrtarëve se efektet e krizës do të vijonin edhe gjatë këtij viti.

Duke ju referuar të dhënave për 3 muajt e parë të vitit, si tatimet edhe doganat kanë tejkaluar planin në mbledhjen e të ardhurave. Ky trend pozitiv, sipas ministrit Bode mund të mos cënojë shkurtimin e shpenzimeve. "Gjithçka mund të ndodhë, në se do të vijojmë me të njëjtin ritëm, ne mund të vijojmë me investimet ose do të ulim defiçitin buxhetor"- u shpreh Bode.

Gjatë konferencës për shtyp, në prani edhe të drejtuesve të tatimeve dhe doganave ministri evidentoi zërin e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila është taksa që mat qarkullimin ekonomik të ekonomisë. Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti të ardhurat nga tvsh-ja janë rritur me 24.5% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ky fakt sipas ministrit tregon për një rimëkëmbje të ekonomisë në këtë prag pranvere.

Bode ju bëri thirrje bankave të nivelit të dytë që të besojnë më shumë tek biznesi, për të kredituar aktivitetin ekonomik.

r.l/NOA

KOMENTE