English

Enver Hoxhaj: Vështirësi për arsimin në Kosovën veriore

Prishtinë, 2 prill, NOA - Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj ka paralajmëruar integrimin e shkollave serbe në veri në sistemin arsimor të Kosovës. Ai tha se kjo do të bëhet në kohën sa më të shpejtë pas fillimit të zbatimit të strategjisë së Prishtinës për vendosjen e ligjshmërisë në këtë pjesë të vendit.

Në një intervistë për BBC-në, ministri Hoxhaj tha se pa ndryshimin e situatës politike në Kosovën Veriore të banuar me shumicë serbe, është vështirë të funksionojë një sistem i integruar arsimor.

Deklaratat e tij vijnë pak ditë pasi Ministria serbe e Arsimit përsëriti thirrjet ndaj mësimdhënësve serbë, të bëra fillimisht në vitin 2006, që të mos marrin paga nga buxheti i Kosovës, duke i kërcënuar ata me ndërprerje të marrëdhënieve të punës me Republikën e Serbisë.

Kryeshefi i Ministrisë serbe të Arsmit, Predrag Stojçetoviq ka deklaruar se të gjithë drejtorët e shkollave serbe janë autorizuar që t'u shkëpusin kontratat arsimtarëve të cilët pranojnë paga nga Prishtina.

"Ajo që për neve është ende problem, është mungesa e fakteve, domethënë ne nuk i kemi kontratat e nënshkruara nga individët, por është më se e qartë se ata e bëjnë këtë në mënyrë të fshehtë, por ne këtë nuk po mund ta dëshmojmë ende".

"Është obligim i të gjithë drejtorëve të shkollave që të ndërpresin marrëdhënien e punës me ata mësimdhënës sepse kemi të bëjmë me kontrata të dyfishta të punës dhe ata nuk mund të vazhdojë të punojnë në shkolla në të cilat paguan Ministria e Arsimit e Serbisë", tha z. Stojçetoviq.

Mësimdhënësit serbë në veri të Mitrovicës nuk kanë pranuar që të flasin për këtë çështje, ndërkohë që qytetarët e atjeshëm kanë dënuar bashkëpunimin e punonjësve serbë të arsimit me qeverinë e Kosovës.

"Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kjo është e turpshme për njerëzit të cilët duhet të jenë shembull për nxënësit të cilët ata i mësojnë, prandaj në kuptimin negativ e dënoj gjithsesi këtë", u shpreh një qytetar serb i Mitrovicës.

"Mendoj se kjo nuk është në rregull, në radhë të parë i jepin shembull të keq fëmijëve e së dyti ky është konflikt interesi", tha një zonjë serbe.

Ministri kosovar i Arsimit, Enver Hoxhaj i ka dënuar ndërhyrjet e qeverisë serbe në sistemin arsimor të Kosovës. Sipas tij, mbi 3 mijë punonjës serbë të arsimit marrin paga nga buxheti e Kosovës dhe në këtë grup, tha ai, bëjnë pjesë edhe disa mësimdhënës nga veriu i vendit.

Ministri Hoxhaj, cilat janë reagimet tuaja për thirrjet e fundit të Beogradit drejtuar mësimdhënësve serbë për mosbashkëpunim me Prishtinën.

Padyshim, janë zhvillime negative për arsimin në Republikën e Kosovës dhe është një politikë që nga Beogradi është duke e ndjekur në vazhdimësi. Dua të them që këto dy vitet e fundit ka pasur progres sa i takon kthimit të mësimdhënësve në sistemin tonë të pagave.

Ne e kemi parë si hap të rëndësishëm në krijimin e një sistemi të integruar arsimor, i cili u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, por jo i cili bazohet në ndarje dhe në etnicitet.

Mendoj se hapat që synon t'i ndërmerr Beogradi nuk do ta kenë mbështetjen e gjithë mësimdhënësve serbë në Republikën e Kosovës, por është një përpjekje që të vihet nën kontroll sistemi arsimor, kontrolle, kjo e cila më së paku ka qëllime të cilësisë së mësimdhënies, por ka më shumë qëllime të natyrës krejtësisht politike.

Zoti ministër, sa përqind e mësimdhënëseve serbë marrin paga nga buxheti i Kosovës?

Sipas të dhënave tona, janë diku mbi 3 mijë mësimdhënës, të cilët janë në sistemin tonë aktual të pagave.

Realisht një numër i tillë më herët ka qenë më i ulët, por ne kemi punuar intensivisht me mësimdhënësit serbë, kemi pasur dhe kemi kontakte të mirëfillta.

Këtu bëjnë pjesë edhe mësimdhënësit në veri?

Këtu bëjnë pjesë edhe disa mësimdhënës në veri. Në vitin 2006 ka pasur një thirrje të tillë, e cila e ka dëmtuar shumë procesin mësimor.

Ne mbesim me shpresë se për shkak të asaj që në katër komuna me shumicë serbe janë mbajtur zgjedhjet lokale, ka organe legjitime që kanë dalë nga këto zgjedhje, ka kryetarë komunash dhe drejtorë të drejtorive të arsimit, të cilët i përfaqësojnë interesat e komunitetit serb.

Reagimi nuk do të mbetet i njëjtë me atë që ka qenë në vitin 2006. Ne kemi kërkuar nga të gjitha instancat që realisht të bëhet presion mbi Beogradin që kjo të mos ndodh.

Ministër Hoxhaj, a është menduar që t'u thuhet mësimdhënësve serbë që të përcaktohen për të marrë pagën ose nga Kosova, ose nga Serbia. Disa prej tyre marrin paga të dyfishta dhe kjo është në kundërshtim me ligjin apo jo?

Qëllimi jonë ka qenë që të tejkalohet ndarja dhjetëvjeçare, e cila është krijuar në Republikën e Kosovës si rezultat i presioneve nga Beogradit mbi sistemin tonë arsimor, prandaj edhe ka qenë e pamundur që të debatohet në frymën e asaj se në çfarë forme do të duhet këta mësimdhënës të marrin vetëm një pagë.

Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës aktualisht funksionon edhe komisioni për harmonizimin e kurrikulave për shkollat në gjuhën serbe.

Ne jemi të përkushtuar maksimalisht që Kosova të ketë një sistem arsimor unik, një jetë të përbashkët publike dhe që ky sistem të jetë divers në gjuhë dhe në funksionimin përmbajtësor të tij, por të jetë një sistem i përbashkët juridik arsimor.

Çdo përpjekje e Beogradit ka qenë që realisht që serbët e Kosovës të mbesin mjerisht jashtë këtij sistemi.

Kur mendoni se do të mund ta integroni veriun në sistemin arsimor të Kosovë dhe si do ta bëni këtë?

Çështja e integrimit të shkollave serbe që funksionojnë në pjesën e veriut të Kosovës, është çështje që ndërlidhet edhe me kornizën politike dhe me ambientin politik, situatën politike që është e pranishme në këtë pjesë.

Unë mendoj se vetëm implementimi i strategjisë për veriun e Kosovës që është strategji e qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare krijon premisat e para të shëndosha që kjo të ndodh.

Kuptohet që kur situata politike të ndryshon, shkollat dhe sistemi arsimor më pas do të ndjekin trendin pozitiv të situatës politike, por është e pamundur që ky t'i paraprijë politikës, e cila edhe më tutje atje shërbehet në emër të formulave etnike, të cilat çojnë më tepër rreth disintegrimit të sistemit arsimor, sesa integrimit të tij.

BBC

KOMENTE