Bruksel, 2 prill, NOA - Komisioneri evropian për Zgjerim dhe Politikë ndaj Fqinjëve, Stefan Fule ka deklaruar se qëndrimi i Bashkimit Evropian sa i përket euro-integrimeve të Serbisë dhe çështjes së Kosovës ka mbetur i pandryshuar.
"Nuk do t'i lidhim këto dy çështje. Çështjet bilaterale duhet të zgjidhen paralelisht me integrimet evropiane para hyrjes në BE", ka thënë Fule në një intervistë për gazetën beogradase "Politika".
Por, Fule ka shtuar se cilido vend që synon t'i bashkohet BE-së "duhet të demonstrojë se ka marrëdhënie të mira me fqinjët e tij, të bazuar në bashkëpunim, tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë".
Ndërkaq, në lidhje me deklaratat e zyrtarëve serbë se midis anëtarësimit në BE dhe Kosovës, ata do të zgjedhin këtë të dytën, Fule tha se nuk beson se dikush të ketë kërkuar nga ata që bëjnë këtë lloj zgjedhjeje.
"Ne dëshirojmë të përfshijmë tërë Ballkanin Perëndimor dhe të ofrojmë perspektivë evropiane për tërë rajonin. Presim që të gjithë aktorët të zgjidhin çështjet e tyre kontestuese në frymën evropiane", është shprehur Fule.
NOA-INA