English

Harxhi në Romë, takohet me Mantikan

Romë, 2 prill, NOA - Zv/ministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, në kuadër të një vizite zyrtare në Romë u prit sot nga nënsekretari i Punëve të Jashtme Italiane, senatori Alfredo Mantika.

Gjatë këtij takimi, bëhet me dijeni se u bisedua për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, çështje të bashkëpunimit dypalësh, këto edhe në prag të vizitës së ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, në Tiranë, më 12 prill.

Por palët kanë diskutuar edhe mbi procesin e liberalizimit të regjimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, bashkëpunimin rajonal, si edhe për çështje të tjera.

"Vizat janë një çështje me një rëndësi tepër të veçantë për qytetarët shqiptarë", - u shpreh Harxhi, duke theksuar se Shqipëria i ka përmbushur, tashmë, standardet teknike për finalizimin e këtij procesi.

Ajo mori konfirmimin e nënsekretarit të Jashtëm italian se Italia ka mbështetur dhe vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i Shqipërisë në këtë proces i cili pritet të përmbyllet së shpejti si dhe rikonfirmoi qëndrimin e Italisë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, Harxhi e siguroi homologun italian në lidhje me mbështetjen e Shqipërisë për rilançimin e Nismës Adriatiko-Joniane dhe krijimin e një makro-strategjie europiane për rajonin e Adriatikut të Jonit.

Ndërsa në lidhje me çështjen e Kosovës, të dy bashkëfolësit ndanë të njëjtin mendim në lidhje me faktin se pavarësia e Kosovës është një rrugë e pakthyeshme dhe se tashmë Kosova është një vend që po bën hapa përpara.

Në fund, u bë me dijeni se nënsekretari i Jashtëm italian, Alfredo Mantika, do të vizitojë Tiranën, gjatë një turi në rajonin e Ballkanit, në datën 27 prill.

n.e/NOA

KOMENTE